Mbështetje dhe paralajmërim, Takaj pret reagimin në Vlorë

Presidenti i Skënderbeut nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese për ekipin. U ka dhënë besim lojtarëve, por ka theksuar se nuk do ta falte një tjetër gabim

Leonard Trebicka

Nuk ka gjoba ndaj futbollistëve të Skënderbeut, nuk ka asnjë të pezulluar, apo tone të ashpra. Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ndoshta ka dhënë paralajmërimin e fundit, por duke besuar se skuadra do të ndryshojë që në ndeshjen e ardhshme në Vlorë për kampionat. Situata në fakt, pas dy humbjeve radhazi, nuk është aspak e mirë te Skënderbeu, por presidenti Takaj ka menduar se është më mirë tu japë më shumë besimin të tijve, duke lënë mënjanë gjobat apo diçka tjetër. Në ambientet e resortit Tropikal Skënderbeu ka zbarkuar dje për të vijuar përgatitjet anti-Flamurtari. Bosi i Skënderbeut, bashku me stafin teknik, është vënë përballë lojtarëve, me të cilët ka folur për situatën e pakëndshme.

TAKAJ – Pritej një furtunë te Skënderbeu, edhe pse presidenti Takaj nuk e ka në natyrë të reagojë kështu. Një reagim i ashpër pritej, duke parë mënyrën si u largua Takaj nga stadiumi të mërkurën, por dje duket se i kishin rënë nervat. Ja çfarë u tha ai dje lojtarëve të tij: E dimë të gjithë, ju më mirë se unë, se kjo situatë është më e keqja që po kalojmë. Nuk e prisja të pësonim dy humbje radhazi, në kampionat dhe kupë. Ju fola pas humbjes së parë me shpresën se do ta kalonit atë ngërç, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Çfarë ju ka munguar deri në këtë moment? Jeni ju që luani në fushë dhe nuk ka mundësi që një skuadër si ne të pësojë dy disfata. Nuk më vjen keq për humbjet, por për lojën që keni zhvilluar. E keni vetë në dorë sërish dhe po ju them se unë kam shumë besim. Nëse do të përsëriten këto rezultate, do të marrim masa, prandaj reagoni. Jemi në momentin më të keq në këtë sezon, por ju mund ta ndryshoni që të hënën e ardhshme. Në Vlorë dua rezultat pozitiv.

UEFA – Dy humbjet për Skënderbeun erdhën pas dënimit që dha UEFA për 10 vite jashtë Europës. Ishte një goditje e madhe për Skënderbeun, por Takaj ka kërkuar nga ekipi të mos mendojë për këtë çështje: “Nuk duhet ta keni mendjen tek UEFA dhe dënimi. Me këtë çështje merrem unë personalisht dhe drejtuesit e klubit, ju nuk keni punë. Ju garantoj se do të jemi këtë verë në Champions League, por ju duhet të siguroni së pari titullin kampion, pasi asgjë nuk ka përfunduar. Nuk e kisha menduar se mund të na rrëshqasin këmbët në këtë moment. Drejtësia shumë shpejt do të vihet në vend, presim vendimin e CAS-it. Nuk dua shpërqendrim nga ana juaj, bëni detyrën! Me UEFA-n merremi ne. Kampionatin e dua të mbyllur dhe nuk ka shans që me 12 pikë para të rrezikojmë trofeun. Besoj shumë te ju, ma ktheni me rezultate këtë besim që kam. Në Vlorë reagimi duhet të jetë i menjëhershëm, – ka shtuar Takaj.

KUPA – Në këtë mbledhje është folur edhe për Kupën e Shqipërisë. Sipas presidentit të korçarëve, asgjë nuk ka përfunduar, pasi është edhe ndeshja tjetër. E duam kupën, pasi asnjëherë nuk e kemi fituar. Shkojmë deri në këtë fazë dhe më pas heqim dorë. E humbëm një betejë, por nuk ka përfunduar lufta. Nëse në Vlorë tregoni Skënderbeun e vërtetë, besoj shumë se në finale do të shkojmë ne. Por së pari le të bëjmë kthesën në kampionat, – ka theksuar presidenti Takaj. Ai nuk ka preferuar tonet e ashpra në këtë mbledhje, pasi kuptohet që është një moment delikat dhe ekipi ka nevojë për mbështetje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online