Mbërrin oferta prej 9 milionë eurosh, Rei Manajn e duan në Europë

Rei Manaj është një nga emrat më të lakuar sa i përket merkatos në kampionatin turk. Sulmuesi shqiptar la pas sezonin më të mirë të karrierës së tij dhe golat e shënuar janë kartëvizita që i duhet për të siguruar një transferim këtë verë. Vetë trajneri i Sivasporit ka konfirmuar se skuadra nga Franca, Italia dhe Katari kanë shprehur dëshirën për të blerë kartonin e 27-vjeçarit.

Ndërkohë, sipas gazetarit Abdullah Jigit, një tjetër ofertë ka mbërritur në zyrën e klubit turk. Gazetari në fjalë nuk zbulon emrin e ekipit, por bën me dije se bëhet fjalë për një klub europian. Oferta kap vlerën e 9 milionë eurove, megjithëse drejtuesit e Sivasporit dëshirojnë 15 milionë euro për të lënë të lirë Manajn. Mbetet për t’u parë nëse palët do të gjejnë gjuhën e përbashkët./Halit Delibashi-Sport Ekspres/