Shumë është përfolur për Ernest Muçin në këtë merkato të verës pasi ishte një nga yjet kryesorë dhe produktet më të mira që ka nxjerrë Superiorja. Në përballjen e fundit të Tiranës ndaj Young Boys kishte edhe të dërguar nga Suedia për të parë më nga afër sulmuesin e bardhebluve.
Megjithatë kryeqytetasit kanë vendosur që të mbajnë edhe për këtë sezon të ri, teksa kërkojnë që të përfitojnë shumë prej tij dhe të mos i shpëtojë nga duart për shifrat e zakonshme në merkato. Pikërisht për këtë arsye presidenti i Tiranës, Refik Halili, i ftuar në “Procesi Sportiv” ka vendosur edhe një bast:
“Ne me Ernest Muçin dhe menaxherin e tij kemi vendosur një dakortësi për rinovimin e kontratës. Ai do të jetë pjesë e Tiranës, megjithëse kemi dëgjuar shumë interesime për të si klub. Tani do t’ju them diçka, mbajeni mend dhe shkruajeni diku. Në këtë sezon Muçi do të bëjë të paktën 15 gola dhe do të jap kontributin e tij edhe në Kombëtare”, u shpreh Halili. /Sport Ekspres/