Mentor Mazrekaj është ende lojtar i lirë. Sulmuesi anësor është larguar nga Prishtina, ndërkohë që fillimisht u përfol gjatë kësaj vere për të kaluar te Feronikeli. Ditët e fundit u lakua edhe për një kalim te Kukësi, por sa duket gjithçka ka qenë në kuadrin e fjalëve.
Tashmë për Mazrekajn ka interes nga Flamurtari i Prishtinës, klub që kryeson momentalisht kampionatin në Kosovë. “Gazetaolle” raporton se një ditë më parë ish-futbollisti i Partizanit ka pasur një takim me Arsim Thaçin, teknikun e kuqezinjve.
Mendohet se mes tyre është biseduar pikërisht për një kalim te Mazrekajt te Flamurtari. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë tani me sulmuesin anësor, i cili vitet e fundit ka pasur shpesh probleme me dëmtimet dhe normalisht nuk është më ai i dikurshmi, që merrte përdore ekipet ku luante.