Ndaj izraelit dhe Skocisë, ishin ata mungesat e mëdha për Shqipërinë në fushë. Mërgim Mavraj në qendër të repartit difensiv dhe Eros Grezda në fazën sulmuese. Mbrojtësi ishte pa skuadër dhe nuk luante prej muajsh, por mbetet një prej pikave të forta të Kombëtares, ndërsa sulmuesi i krahut ende nuk e kishte kaluar dëmtimin që e la për shumë kohë jashtë fushave.
Tani, kur angazhimet e Kombëtares rikthehen, me miqësoren ndaj Jordanisë (10 tetor) dhe ndeshjen e kthimit në Ligën e Kombeve me Izraelin (14 tetor), trajneri Kristian Panuçi mund të buzëqeshë. Mavraj dhe Grezda janë rikthyer në fushë, por më e rëndësishme është se këtë e realizuan me paraqitje bindëse.
Mavraj debutoi me Arisin, në derbin kundër PAOK-ut, të luajtur në Kupën e Greqisë. Edhe pse forma fizike nuk është ende në nivelin e duhur, diçka e kuptueshme pas kalvarit të përjetuar te Hamburgu, mbrojtësi tregoi të gjithë kualitetin dhe ishte një garanci.
Një lojtar cilësor, me eksperiencë të jashtëzakonshme, që neutralizoi sulmuesit e ekipit kundërshtar dhe mori vlerësime nga opinion sportive pranë klubit të Arisit, por edhe në Greqi. Me lojën e tij, Mavraj tregoi përse trajneri Pako Herrera i besoi fanellën e titullarit në një sfidë aq të rëndësishme sa derbi, me kuqeziun që duket gati të shndërrohet në shtyllën e mbrojtjes së ekipit.
Mjaft të mira edhe vlerësimet për Eros Grezdën, i cili luajti si zëvendësues në ndeshjen e Kupës së Skocisë ndaj Ajr. 23-vjeçari mahniti tifozët e Rejnxhërs, për cilësitë dhe shpejtësinë e tij, me mbështetësisht e klubi nga Gllazgou që e shfaqën publikisht ngazëllimin për yllin shqiptar.
Të gjithë entuziaztë dhe të mahnitur nga djaloshi nga Gjakova, me pastime në “Twitter”, ku përveçse ishin befasuar nga shpejtësia e sulmuesit të krahut, shprehnin edhe besimin se kur të jetë në formën e tij më të mirë Grezda do të bëhet ylli që trajneri Stiven Xherard ka premtuar.
Fakti që ende nuk është në 100 për qind të formës fizike, e ka detyruar ish-yllin e Liverpulit që ta integrojë me kujdes lojtarin, duke e aktivizuar gjatë lojës. Por, me performancën e bërë, nuk përjashtohet që Grezda të ketë shansin të luajë titullar prej kësaj fundjave, në ndeshjen ndaj Livingston, ndërsa duket thuajse e sigurt që kuqeziu do të jetë në formacion në gjysmëfinalet e Kupës, pas pezullimit të Morelos.