Mërgim Mavraj do të qëndrojë deri në fund të sezonit me Hamburgun U-21, në pritje që të largohet nga klubi gjerman, që po shkon drejt Bundesligës 2 për herë të parë në historinë e vet.
Një situatë absurde për Mavrajn, që në janar pati oferta të rëndësishme nga Turqia, por qëndroi në Hamburg, ku nga lider është kthyer në të padëshiruar dhe është urdhëruar të stërvitet tek të rinjtë.
Edhe aty probleme, sepse trajner është përkohësisht 29-vjeçari Shtefen Vajs. Bild raporton se Vajs nuk ka licencë trajneri profesionist dhe Mavraj ka bërë kërkesë që të stërvitet nga një trajner i tillë, në bazë të kontratës.
Për pasojë, Hamburgu ka urdhëruar ish-futbollistin Vahid Hashemian që të lërë përkohësisht detyrën si zëvendëstrajner te Hamburgu U-17, për të stërvitur Mavrajn.
Ndërkaq, zgjidhja e klubit është gradimi i trajnerit të femrave, Akim Fajfel, i cili ka drejtuar skuadrën e femrave të Hamburgut në periudhën 2005-2012, ka punar në disa klube të tjera dhe është kthyer tek Hamburgu në vitin 2015, ku ka drejtuar ekipin U-16.