Nga Klaudio Ndreca
Koreja e Veriut ndodhet në një diktaturë totale ku njerëzve iu është ndaluar edhe e drejta e internetit, për të parë se çfarë ndodhë në botë. Logjike brenda anormalitetit kjo, duke parë sistemin që funksionon në këtë vend.
Për të qeshur dhe për të qarë, por këtë herë do të risjellim mashtrimin e shekullit që është bërë nga media shtetërore në Korenë e Veriut. Bëhej fjalë për Botërorin e Rusisë, e cila u fitua nga Franca në përballjen ndaj Kroacisë.
Këtë variant e dimë ne në fakt, pasi në Korenë e Veriut e besojnë ende se janë ata fituesit e vërtetë të asaj Kupe. Fantazia e medias shtetërore ishte shumë e lartë, aqsa thuhej se kaluan direkt në finale dhe nuk i’u desh të futeshin në grupe si Kombëtaret e tjera, sepse ata janë superiorë. Gjithashtu thuhej se lideri i tyre suprem, Kim Jong Un, shënoi 10 gola në finalen ndaj Brazilit dhe me aksione personale.
Duke parë se ndeshja ishte e vrarë, atëherë do të zëvendësohej dhe do të shkonte në stol. Sapo kjo ndodhi Brazili i dërgoi shifrat në 1-10 dhe menjëherë pas kësaj, Kim Jong Un që ishte nxehur shumë, u fut sërish në fushë për të shënuar edhe 10 gola të tjera. Pastaj Brazili e la lojën në mes, për t’iu shmangur një turpërimi të madh. Në fakt raportime të tilla ndodhin në çdo Botëror në Korenë e Veriut, që sipas mediave e ka dhomën e trofeve të mbushur plot, por kjo ka qenë historia më pikante me tekstin e lajmit që e shihni më poshtë dhe që është përcjellë për shikuesit.
“Kombëtarja jonë kurrë nuk ka pse të luajë në grupe si kombet e tjera, për shkak të superioritetit tonë të padyshimtë. Ne sfidojmë fituesin e kombeve të tjera në një ndeshje finale: këtë herë kundër Brazilit.
Udhëheqësi ynë i lartë Kim Jong Un hyri në fushë dhe shënoi 10 gola në 10 minuta, pa shokët e tij të skuadrës që duhet të prekin topin. Kur rezultati ishte 0 – 10, Kim Jong-un e la lojën në duartrokitjet më të mëdha që Stadiumi Luzhniki ka parë ndonjëherë.
Pak pasi shkoi në stol, skuadra braziliane shënoi një gol dhe Kim Jong-un u desh të kthehej për të shënuar 10 të tjerë. Kundërshtari duke parë që ata nuk mund të kishin asnjë shans, detyron të heqin dorë pas 25 minutash për të shmangur një poshtërim edhe më të madh”. /Sport Ekspres/