Frika e përhapur nga koronavirusi kohët e fundit është e madhe dhe nuk po lë të qetë as futbollin. Serie A ka ndërmarë masat duke mbyllur dyert e stadiumeve për tifozët në takimet e fundjavës, ndërsa edhe në vendet e tjera europiane janë ndjekur hapa parandalues për virusin në fjalë. Koreanit Son Heung Min do i duhet të vetëizolohet pas kthimit të tij në Londër.
Ky i fundit momentalisht gjendet në vendlindjen e tij për t’u rekuperuar nga dëmtimi i pësuar. Por në Angli e pret karantina. Britania ka vendosur një protokoll hapash për sigurinë nga koronavirusi dhe as lojtari i Tottenham-it nuk i shpëton dot. Një lajm të tillë e pranon edhe Mourinho, që nuk do e ketë nën urdhërat e tij yllin Korean edhe për të paktën dy javë të tjera.
“Mendoj se këshilla normale vjen nga autoritetet dhe qeveria. Nuk do të bëj asnjë koment. Jam askushi, nuk jam specialist. Unë thjesht marr këshillat ligjore dhe atë çfarë autoritetet i përcjellin klubit tim, të cilat sigurisht që do i ndjekim. Prandaj po ju them se kur të kthehet nga Seuli, Son do të duhet të ndjekë protokollet dhe nuk do e kemi menjëherë këtu”, ka thënë Jose Mourinho./Sport Ekspres/