Martini flet për derbin: Tirana është më lartë se Partizani, por donin vetëm fitore

Ish-futbollisti i Vllaznisë, Edi Martini, ka dhënë mendimin e tij sa i përket derbit mes Tiranës dhe Partizanit. I ftuar në emisionin “Pressing”, vendos theksin se bardheblutë kishin një vetbesim të madh që i dëmtoi në përballje duke humbur me rezultatin 1-2.

Sigurisht që edhe historia e fundit që po përsëritet duke mos ia dalë në asnjë rast ndaj Partizanit, ndikoi shumë edhe në psikologjinë e bardhebluve, që kërkonte vetëm fitore, përkundër qetësisë së krahut tjetër.

“Tiranën unë e shoh më lartë se Partizani për momentin. Kishte vetbesim të madh te Tirana dhe i duhej vetëm fitorja, kjo i dëmtoi disi. Nga ana tjetër, Partizani ishte më i qetë dhe i mjaftonte vetëm një barazim në këtë përballje. Kjo pati edhe ndikimin e saj. Tirana e donte fitoren me çdo kusht dhe kjo solli gabime”, ka thënë Martini. /Sport Ekspres/