“Marrin Ergys Kaçen 120 mijë euro dhe vjen për turizëm”, Dosti ka kritika të forta: Përse na dështojnë gjithmonë këta lojtarët e shtrenjtë?

Edmond Dosti ka reaguar menjëherë pas barazimit të Partizanit ndaj Laçit. Për të kuqtë duket se kriza e rezultateve nuk ka fund, teksa këtë herë nuk shkuan më tepër sesa 1 pikë e grumbulluar me kurbinasit. Figura e shquar e kryeqytetasve ka ngritur pikëpyetjet e tij për disa afrime dhe duke prekur temën e Ergys Kaçes, që duket se do të bashkohet në listën e emrave të tjerë të zhurmshëm që ka sjellë Partizani dhe në fund rezultojnë si hije.

“Urime Junior, Cara! Kur ata që marrin Kace120 mijë euro, apo Filipovic 70 mijë euro në sezon, vijnë të Partizani për turizëm, ju bie barra ju që të bëni diçka! Kemi lojtarë të rinj vërtetë.  Po përse i kemi të tillë?!

Partizani nuk është makinë mësimore që të bëjnë kursin të rinjtë. Partizani është makinë e shpjejtë për futbollin shqiptar. Kush i mori lojtarët e rinj dhe përse. Ne kur ishim të rinj, shkonim të luanim, të tregonim vlerat në ekipet e tjera. Partizani DUHET të afrojë lojtarë të afirmuar, e jo lojtarë që nëse i kërkon në Google. Të del përgjigja; Kërko pas 5 vjetësh!

Kush i mori lojtarët e paafirmuar? Përse lojtarët që paguhen më shtrenjtë, përherë dështojnë te Partizani? A i shikon stafi teknik këta lojtarë gjendjen, përpara se t’i marrë, apo i marrim njëherë dhe pastaj ata do rriten fizikisht dhe do bëjnë namin në muajn shkurt dhe në vazhdim. Është e ndershme që ti thoni tifozve te vërteten dhe për këtë situat duhet dikush t? mbaj përgjegjësi”, shkruan Dosti. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *