Mesfushori duhet t’i nënshtrohet kurave specifike, mund të ketë tjetër operacion
Juventusi humbet Klaudio Markizion për një muaj për shkak të një problemi në gjurin e këmbës së majtë, të operuar vitin e shkuar. Lojtari, sipas asaj që ka sqaruar klubi në një komunikatë, ka kryer dje një kontroll në Barcelonë nga i cili është mësuar se “lojtari duhet t’i nënshtrohet terapisë specifike dhe një pune për përforcimin muskulor”. Për këtë arsye, “nuk do të jetë i disponueshëm për 3-4 javët e ardhshme”. Mesfushori do të duhet të mos jetë i pranishëm në debutimin e Juventusit në Champions, ndaj Barcelonës, në “Camp Nou”. Një lajm ky që, sigurisht ka mërzitur të gjihë te Juventusi. Madje, pikërisht për këtë, Alegri ka thënë: Na vjen keq për Klaudion sepse sapo po e rimerrte veten. Ai ka nevojë për një muaj, mungojnë disa vlera force te këmbët e tij dhe pas një muaji do të shohim edhe gjendjen e tij. Na vjen keq që nuk do ta kemi në dispozicion”, kanë qenë fjalët e Alegrit.
RREZIKU – Dhe, sipas asaj që shkruan Sky, duket se, 4 javët e mungesës janë në hipotezën më të mirë nëse kurat specifike do të bëjnë punën e tyre. Kjo, pasi, operacioni i një viti më parë, mund të mos e ketë bërë efektin e duhur dhe kjo do të kërkonte që Markizio të rikthehej sërish në sallë.