Diego Armando Maradona nuk ka humbur rast për të dhënë mendimin e tij në lidhje me ndeshjen Real Madrid-Juventus, që vazhdon të prodhojë debat në lidhje me penalltinë dhënë Realit në shtesë. Ish-ylli argjentinas ka dhënë një opinion të veçantë në lidhje me përplasjen mes Benatiasë dhe Lukas Vaskezit, me këtë të fundit që simuloi, sipas Maradonës.
“Jo, nuk ishte penallti, jo! Absolutisht: kur Ronaldo e uli topin, Lukas tentoi të kthehej drejt dhe Benatia u mundua t’i largonte topin. Lukas u tregua i shkathët, ashtu si do veproja edhe unë, dhe u rrëzua”.
Sipas Maradonës, Lukas Vaskez preferoi të mos rrezikonte, sepse mund të shënonte vetë: “Me 99% ishte gol për Realin, sepse Lukas mund të shënonte lehtësisht. Megjithatë, u bë protagonist, sepse nuk e shfrytëzoi si duhej pasimin e mrekullueshëm që i dha Ronaldo”.