Diego Armando Maradona është njeri i veçantë, në çdo drejtim. Si futbollist ka qenë gjeni, si analist lëshon perla që shkojnë në kufijtë e komikes, si trajner ka dështuar kudo.
Aventura e fundit e Maradonës si trajner ka qenë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku para një viti mori drejtimin e Al Fujairah, në Emiratin e Fujairah.
Kategoria e dytë, synimi i vetëm ngjitja në Pro League dhe premtimi i Maradonës ishte: “Ky ekip do jetë projekti im prioritar. Do ta bëj një ekip tepër të vështirë për t’u mundur”.
El Pibe de Oro e arriti synimin e vet, sepse sot u mbyll kampionati dhe Al Fujairah nuk pësoi asnjë humbje në 22 javë kampionati, me 11 fitore e 11 barazime. Problemi është se ngjitja në Premier Ligë nuk erdhi dhe në mënyrë të pabesueshme ekipi i Maradonës dështoi në ndeshjen e fundit.
Në nisje Al Fujairah ishte me pikë të barabarta me Ittihad Kalba-n dhe i mjaftonte fitorja, sepse ishte superior në takimet direkte. Kalba e fitoi lehtësisht ndeshjen e vet dhe dëgjonte çfarë bëhej në Hujairah, aty ku ekipi i Maradonës kryesonte deri në minutën e 62-të, kur portieri bëri një gafë të pabesueshme dhe 1-1. Duart në kokë për Maradonën, që nuk e shijoi dot fitoren e madhe, edhe pse Khor Fakkan luajti me 10 lojtarë në 8 minutat e fundit. E pabesueshme, edhe për Maradonën, i cili pas ndeshjes dha menjëherë dorëheqjen!