“Shkuam në kinema të shihnim kronikën e një vdekje të paralajmëruar”. Këto janë fjalët e ashpëra të Diego Armando Maradonës në programin “Dora e Dhjetës” të televizionit argjentinas “teleSur”. Legjenda argjentinase nuk i kurseu fjalët e forta pas eliminimit të “albiçelestëve” nga Franca në Botërorin e Rusisë.
“Ndihem keq pas një tjetër edicioni të Kupës së Botës ku përfaqësuesja nuk ka një ekip në lartësinë e duhur. Kjo shihej nga formacioni, shkuam në Moskë me Pavon, Mesi dhe Di Maria për të sulmuar mbrojtjen franceze, por askush prej tyre nuk e njeh lojën në zonë apo si ta sulmojë”, tha Maradona.
Më pas numri 10 legjendar foli për Lionel Mesin: “E pashë të vetmuar, shumë larg objektivit. E kam thënë se nëse do ta aktivizonin si numër 9 do ti duhej të kthehej të kërkonte topin, të organizonte lojën, të krijonte topa për gol apo të shënonte. Por, po flasim më tepër për fantazi, sesa për Leo Mesin”.