109 minuta duke dyluftuar, duke shtrënguar dhëmbët dhe duke bërë maksimumin e tij… Në stol nuk ka asnjë zëvendësues, ai kthen sytë nga trajneri Daliç dhe e kupton se “fishekët” kroatë kanë mbaruar. Duhet t’ia dalë, mund t’ia dalë… Ia doli!
Një luftëtar, i mësuar që të mos ngrejë flamurin e bardhë edhe nëse sheh se në luftë ka mbetur i vetëm… 109 minuta duke pritur momentin e tij, shansin e jetës, atë devijim që e dërgon topin në rrjetë. Më pas, apoteoza!
Ai që shuan ëndrrën angleze prej 52 vjetësh për të shkuar në finale (mungon që prej vitit 1966). “Nuk e di, kjo është një mrekulli! Nuk duhet të befasohemi shumë, megjithatë. Ishim kurajozë, pas 0-1 nuk ishte e lehtë, por ne nuk u dorëzuam dhe vazhduam të besonim, edhe pse përballë kishim Anglinë”.
“Tani, të përballemi me këtë finale si luanë, ashtu sikurse edhe jemi të gjithë, pa përjashtim. Franca është një kundërshtar i madh, por tashmë jemi edhe ne. Duhet dhënë gjithçka”.