Manaj: Mendoj vetëm për Kombëtaren, për të ardhmen vendos pas pushimeve

Rey Manaj kthehet në Kombëtare, në një moment delikat për të, sepse është ende në fillimet e karrierës, por nuk po e bën hapin e madh dhe nëse sezonin e ardhshëm nuk gjen vendin e duhur, mund të konsiderohet një premtim që nuk u përmbush kurrë. Aventura te Granada, në huazim nga Interi, ka qenë një dështim total, por Manaj ka shkëlqyer pas kthimit te Shqipëria U-21 dhe tani Kristian Panuçi i jep besim, për ta parë në veprim në miqësoret e ardhës, por edhe për t’i dhënë një dorë që të reklamojë veten, sepse po nis merkatoja. Sulmuesi i talentuar, ende në pronësi të Interit, ka folur për kthimin e tij në kombëtare dhe për të ardhmen.

“Për mua nuk është një fillim i ri, besoj se do mbeten gjërat që kam bërë deri para dy vitesh në Kombëtare. Fillim i ri do jetë nga shtatori e tutje, sepse do të nisim ndeshjet kualifikuese për Europianin. Janë dy miqësore të rëndësishme, të dyja të vështira. Edhe pse Kosova përballë, do të kërkojmë fitoren, ashtu si ndaj Ukrainës.

“Granada? Zgjedhja ishte e mirë, ekipi ishte me nivel të lartë. Patëm vështirësi për shkak të ndryshimeve në stol, ekipi humbi ritmin dhe tani kemi edhe dy ndeshje, ku do të tentojmë të kapim fazën play-off, edhe pse do të jetë e vështirë.

“Kthim në Itali? Kam folur me menaxherin dhe ka pasur disa oferta, por tani mendoj vetëm për Kombëtaren. Pas pushimeve do të bisedoj me menaxherin dhe do të bëjmë zgjedhjen më të mirë.

“Kam folur me Panuçin, edhe para stërvitjes së djeshme. Ka folur edhe menaxheri para grumbullimit. Fjalët që më ka thënë kanë qenë shumë pozitive, janë biseda që mbeten mes nesh dhe ndihem shumë mirë.

“Spanja? Liga ka dy ekipe tepër të mira në krye, por nuk besoj se niveli është më i lartë se në Itali. Këtë vit kështu shkoi, nuk kam ç’të them.

“E shkuara? Harrohen të gjitha, duhet parë gjithnjë përpara. Unë e mbaj mend mirë ndeshjen kundër Kosovës, ishte ndeshja ime e parë, shënova sapo hyra, por nuk ka më vlerë të qëndroj tek e shkuara. Mungesa e gjatë në Kombëtare? Ka shumë faktorë, herë ndikon mosha, herë problemet, herë të luajturit e paktë. Nuk jam thirrur në kombëtare për arsye të ndryshme, i respektoj zgjedhjet e trajnerëve, janë gjëra që të ndihmojnë të rritesh. Sa herë të grumbullohem, do të jap gjithçka, si kam bërë edhe te U-21, U-19 e U-17.

“Kombëtarja U-21? Nuk jam lider atje, është një grup shumë i mirë, ka lojtarë shumë cilësorë, që shumë shpejt do jenë pjesë e ekipit të parë. Për ekipin e parë nuk ia vlen të flas, sepse disa gjëra nuk realizohen kur flet shumë, ndaj më i mirë i lëmë një pikëpyetje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *