Sulmuesi e mbylli sezonin në Maltë dhe flet për përballjen e Kukësit në Champions League. “Kukësi shpresoj të fitojë ndeshjen e parë, e kthimit e vështirë”
Vladimir Prenga
Vilfor Hysa është produkt i Tiranës, por me bardheblutë ka luajtur vetëm në Kupat e Europës. Në Superiore ka veshur fanellën e Teutës, Laçit, Flamurtarit, Vllaznisë dhe Kastriotit. Sulmuesi ka veshur edhe fanellën e Kamzës në të Parën, ndërkohë që më parë është aktivizuar edhe te Kukësi, madje për dy sezone. Shtatshkurti e mbylli sezonin në Maltë dhe ka sërish oferta atje, por ende nuk ka vendosur për të ardhmen. Nisur nga fakti që Hysa e njeh këtë kampionat, ku kampion ka dalë Valleta, kundërshtari i Kukësit në Champions, “Sport Ekspres” e ka intervistuar sulmuesin, i cili ka treguar pikat e forta dhe të dobëta të rivalit të verilindorëve.
– Vilfor, jeni një “ish” i Kukësit dhe sikurse e dini u ka rënë të ndeshen me kampionët e Maltës. Ç’mund të na thoni për futbollin atje, pasi vjet provuar një eksperience me Lija Athletik?
-Po, është e vërtetë që luajta fazën e dytë për Lija Athletiks dhe jam ndeshur vetëm në një takim me ekipin e Valletës. Në përgjithësi niveli është pak a shumë si niveli i futbollist shqiptar. Por theksoj që janë disa ekip në Maltë, si Valleta, Balzan e Birkirkara, që bëjnë diferencën në futbollin maltez, ashtu siç e bëjnë dhe në Shqipëri Skënderbeu apo Kukësi.
– Valeta, kampionia, përballet me verilindorët. Në syrin tuaj, cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të atij ekipi?
-Valeta ka një ekip të fortë, duke nisur nga portieri i Kombëtares malteze, e më pas me mbrojtës brazilian dhe me sulmues italian. Janë ekip që e luajnë topin poshtë dhe punojnë shumë me krahët, duke u futur më pas nga brenda.
– Ka ndonjë lojtarë që veçoni, për të cilin Kukësi edhe duhet të marrë masa?
-Është sulmuesi Mateo Piciolo, i cili luan nga e majta dhe që mund të krijojë shumë rrezik për ekipin e Kukësit mendoj unë. Përgjithësisht krahun e majtë e ka më të fortë se të djathtin Valleta.
– Keni vite që luani dhe normalisht edhe mund të këshilloni diçka për Kukësin. Ku mund ta godasin ata Valletën?
-Kukësi, me një përforcim si Plaku, që kërkon topa të ulet dhe vertikal drejt portës, mund t’i hapë probleme mbrojtjes së Valletës. Kjo pasi dy qendrat e mbrojtjes se tyre janë të mëdhenj dhe kanë vështirësi në topat vertikal e të shpejtë.
-Sa ndiqet futbolli atje dhe sa investohet, pasi nga ajo që shihet ka pasur zhvillime vitet e fundit?
-Për t’u ndjekur është njësoj si këtu, varet kush luan dhe mbushet stadiumi. Rëndësia e ndeshjes ndikon në numrin e tifozëve në stadiume. Sa i takon pagave, janë të mira. Por dhe kjo varet nga ekipet pretendente për të fituar kampionatin.
– Sa i takon kualifikimit në raundin tjetër, kë favorizoni dhe pse?
-Shpresoj që Kukësi ta fitojë ndeshjen e parë në Shkodër, sepse atje do e ketë të vështirë, pasi edhe temperaturat janë shumë të larta.
– Ju ka munguar Superiorja? E mendoni një rikthim dhe a keni ndonjë plan për të ardhmen?
-Në fakt jam përsëri në bisedime për të qëndruar në Maltë, por kam oferta edhe nga Kosova. Nëse është ndonjë ekip me perspektivë në Superiore, pse jo, do të rikthehesha.