Rrëfehet shtatlarti i mbrojtjes së Vllaznisë, një nga më të mirët në takimin ne Partizanin. Lezhjani shpreh hapur dëshirën e tij për të qëndruar në Shkodër
Gaspër Marku
Pjesën e parë të sezonit e luajti me Partizanin, ndërsa që prej janarit Renato Malota ka veshur një tjetër fanellë. Nuk ka shkuar shumë larg, vetëm se të kuqes i ka shtuar edhe një blu për t’u bërë pjesë e Vllaznisë, një klubi me emër të madh, që edhe pse po kalon momente jo të mira, shumë shpejt do të shkojë në vendin që i takon. Këtë e di fort mirë edhe vet lezhjani, që karrierën sportive e nisi me Dinamon, për të vijuar me Kukësin dhe Partizanin. Tashmë po kontribuon për të ringritur Vllazninë. Shenjat pozitive të mbijetesës janë dhënë dhe sipas Malotës qëndrimi në Superiore nuk diskutohet. Në prononcimin e dhënë për “Sport Ekspres” një ditë pas ndeshjes Vllaznia-Partizani, krahas emocioneve që përjetoi si një “ish” në këtë sfidë, Malota flet edhe për të ardhmen e tij, duke zbuluar se drejtuesit kuqeblu po hartojnë një projekt shumë ambicioz për të ardhmen, pjesë e të cilit mund të jetë edhe ai.
-Renato, përballja e mesjavës me Partizanin, e para ndaj ish-skuadrës tuaj, duhet të ketë patur jo pak emocione për ju, apo jo?
Normalisht kur luan përballë ish-ekipit tënd ka emocione, por ne jemi profesionistë, bëjmë maksimumin dhe japim më të mirën për ekipin ku jemi. Rezultati i ndeshjes deri diku ishte i pranueshëm, duke pasur parasysh se përballë kishim Partizanin. Mendoj se bëmë një lojë të mirë dhe tashmë duhet të shohim vetëm përpara.
-Nga sa u pa, e filluat takimin me një lojë të ashpër ndaj Bardhit. Ishte tensioni i ndeshjes, apo ndonjë mëri ndaj ish-skuadrës tuaj?
Jo, nuk është se ishte tension. Më shumë ishte një strategji e imja. Normalisht është edhe natyrë e imja kjo lojë, me qëllim për t’i dhënë mesazhin Bardhit, por edhe të gjithëve, ekipit tonë për të luajtur fort në këtë ndeshje, por edhe atij të Partizanit, duke dashur t’i tregonim për atë që e pret. Kjo ishte arsyeja përse e fillova fort.
-Megjithatë, në fund u patë të takoheshit miqësisht me pjesëtarët e Partizanit…
Normalisht, kam shokë dhe dashamirës tek ekipi i Partizanit. Të gjithë së bashku rrimë, i kemi shokë, sepse futbolli kështu është, por si të thuash, 90-të minuta ne jemi armiq në thonjëza.
-Me drejtuesit, a patët ndonjë kontakt apo bisedë pas ndeshjes? Ndoshta edhe për ndonjë sinjal rikthimi te të kuqtë…
Jo, në fakt nuk pata asnjë takim me drejtuesit. Për momentin nuk ka asgjë në atë drejtim që thoni ju.
-Diçka konkrete për ndeshjen. Si e patë ju në planin individual?
Mendoj se në pjesën e parë bëmë shumë mirë dhe Sukaj për mendimin tim bëri një lojë të mirë. Kishim dy-tre raste në këtë pjesë dhe mund ta godisnim kundërshtarin, por ngandonjëherë edhe fati nuk është me ne. Ishte një ndeshje pozitive nga ana jonë.
-Çfarë ndryshoi te pjesa e dytë. Ku ishin problemet?
Tek e dyta patëm pak rënie, sepse na u dëmtuan dy-tre lojtarë, si Berisha dhe Gocaj. Gjithashtu Vucaj e Krymi ishin të dëmtuar. Bëheshin katër lojtarë për të dalë nga loja, por nuk mund të dilnin të gjithë, kështu që trajneri bëri tre zëvendësime të detyrueshme, që na penalizuan pak në lojën tonë. Kjo ishte edhe arsyeja, që në pjesën e dytë ra pak ritmi ynë në lojë.
-A është Malota i kënaqur me paraqitjet e tij tek Vllaznia?
Mendoj që po bëj mirë, çka e kemi treguar edhe këto shtatë ndeshjet e fundit. Po bëjmë një lojë të mirë në mbrojtje. Kemi krijuar atë sigurinë, që ndoshta i ka munguar Vllaznisë. Deri diku jemi të kënaqur, por duhet të shohim përpara, sepse akoma nuk e kemi bërë atë punën 100 përqind.
-Mendon se Vllaznia është akoma e lëkundur në pozitat e qëndrimit në Superiore?
Po, përderisa akoma ka ndeshje për t’u luajtur. Vetëm në momentin kur ne ta sigurojmë matematikisht, atëherë do të jemi të qetë. Deri në atë moment, ne duhet të jemi me “këmbë në tokë” dhe të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje, që të marrim maksimumin tonë.
Në tribunë pamë pjesëtarë të familjes tuaj, që ju ndjekin vazhdimisht. Ju motivon ky fakt?
Normale, si gjithmonë, qoftë babai dhe shokët e mi më ndjekin vazhdimisht, si në Shkodër dhe jashtë Shkodre. Janë normalisht një përkrahje e madhe e imja.
-E ardhmja e Vllaznisë, ku e shikoni atë në mbyllje të kampionatit?
Vllazninë në fund të sezonit e shoh lart. Nuk dua ta them vendin, por e shoh realisht më lart nga ku jemi për momentin.
Në lidhje me vazhdimësinë e Malotës tek Vllaznia, a ka ndonjë sinjal apo projekt nga drejtuesit kuqeblu në lidhje me ju?
Sinjale ka. Projektet që po diskutohen normalisht janë të mëdha, por për momentin jemi të fokusuar që ta sigurojmë sa më shpejt mbijetesën, pastaj do shohim për më gjatë.
-Skuadrës po i ofrohen sponsorë dhe kandidatë për president. Një ndër ta edhe Tom Doshi. Premion e tij prej 5 mijë eurosh për fitore ndaj Partizanit nuk arritët ta merrnit….
E falënderojmë zotin Doshi për mbështetjen që po na jep. Është një figurë e shtetërore dhe për ne është një ngrohje më shumë. Ai dhe Valter Fushaj po na ndihmojnë dhe po na qëndrojnë afër. Gjej rastin t’i falënderoj që të dy. Në lidhje me premion, edhe pse nuk fituam, një sinjal na ka ardhur që edhe për barazim do të shpërblehemi.