Shtohen hallet, Flamurtari “çahet” në mesfushë dhe humbet edhe portierin. Useini dhe Sidibe janë të pezulluar, Nurkoviç është dëmtuar
Dy rikthime, por sërish dëmtime e pezullime me kartonë tek Flamurtari, madje mjaft të rëndësishme. Me Vllazninë rikthehen Danilo Alvesh dhe Musta pas mungesës me Luftëtarin, por do të mungojnë dy forca mjaft të rëndësishme në mesfushë. Sidibe dhe Useini u ndëshkuan me kartonë të verdhë me Luftëtarin, duke plotësuar numrin katër të tyre. Kështu ata të mungojnë në Shkodër ditën e hënë dhe trajneri Duro duhet të gjejë zëvendësuesit dhe kjo nuk do të jetë aspak e lehtë.
NURKOVIÇ – Moment kritik te Flamurtari, ku duket se rivali kryesor nuk është në fushë por jashtë saj, sepse çdo javë po shtohen dëmtimet. Shqetëson gjendja e portierit Nurkoviç, i cili doli i dëmtuar me Luftëtarin. Sport Ekspres mëson se boshnjaku me pasaportë kosovare nuk do të jetë gati për në Shkodër, për shkak se ka pësuar një tërheqje në pulpë, që do ta lërë jashtë tre javë. Shans për të rinjtë Qirko apo Sali për të treguar sa vlejnë.
TË TJERËT – Jashtë për këtë takim mbeten edhe Zhufo, Muarem e Tunkara. Braziliani do të mungojë edhe për disa kohë, ndërkohë që Muarem është larguar drejt Turqisë, ku do të kryejë një ekzaminim më të specializuar. Rikthimi i tij nuk pritet përpara muajit prill. Tunkara ndodhet në Itali pas dëmtimit të pësuar dhe nuk dihet ende koha e saktë e rikthimit të tij në fushën e blertë. Kështu për Flamurtarin problemet nuk janë të pakta para ndeshjes me Vllazninë. Gjatë këtyre ditëve stafi teknik do vijojë punën me seriozitet me grupin dhe do të shihet se si do të rreshtohet skuadra në mesfushë. Alternativa për trajnerin Duro janë Pollozhani, Hysenaj dhe Zuka, por edhe vlonjati tjetër Deliaj, i cili te Tirana ka luajtur edhe si mesfushor qendre. Gjithsesi do të shihet gjatë seancave stërvitore se si do të luajnë kuqezinjtë ditën e hënë.