Makthi merr fund, talenti shqiptar rikthehet në fushë

Transferim i bujshëm gjatë merkatos së verës. Nga Luftëtari direkt te Anderlehti, por me operacionin që u realizua nga Skënderbeu, klubi i cili kishte blerë kartonin e Kristal Abazajt. Një hap gjigand në karrierë, ëndrra të mëdha, por që u shoqëruan nga vështirësi, të cilat edhe më pesimistët do ti kishin të vështira ti parashikonin.

Talenti i futbollit shqiptar shkëlqeu gjatë fazës përgatitore, por më pas nisi seria e gjatë e dëmtimeve. Gjatë këtyre katër muajve të fundit, 22-vjeçari ka kaluar më tepër kohë në infermieri për t’u rikuperuar dhe në palestër, duke punuar i diferencuar. Së fundmi, për shkak dëmtimi, mesfushori me tipare sulmuese u detyrua të mos paraqitej në Kombëtaren Shpresa, duke humbur ndeshjen me Spanjën dhe Estoninë.

Por, më në fund, duket se Abazaj po sheh edhe dritën në fund të tunelit. Më në fund, talenti kuqezi i’u bashkua skuadrës në seancën stërvitore në fushë. Optimizmi dhe kënaqësia nuk mungoi, me lojtarin që në faqen e tij zyrtare shkruante: “I lumtur që u riktheva sërish në fushë!”. Tashmë për 22-vjeçarin nis pjesa e vështirë, pasi ai duhet të punojë me ritme intensive dhe të arritjë gjendjen optimale fizike, për të shpresuar të debutojë te Anderlehti në këtë edicion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *