Katër gola kundër të kuqve (tre me Bylisin dhe një me Flamurtarin), rrëfehet vlonjati “doc”: Objektivi ynë? Nuk na është kërkuar Europa, por të respektojmë fanellën. E kemi nisur mjaft mirë kampionatin…
Ishte 8 maji i vitit të shkuar (2016) dhe në stadiumin “Qemal Stafa”, përpara se të prishej, Partizani priste Bylisin, në një sfidë deçizive për të kuqtë e kryeqytetit… Në fushë, për ballshiotët, ishte edhe ai, i riu Ardit Hoxhaj. Një vlonjat që po provonte të bënte hapa gjiganti, larg shtëpisë. Kështu, në minutën e 24-ërt të ndeshjes do t’i shënonte Xhikës një gol të bukur… Aty nisi edhe historia me “viktimën” e preferuar, të kuqtë, sepse në atë ndeshje do të shënonte edhe golin e dytë në fitoren 2-1 jashtë fushe të Bylisit. Sërish në Tiranë, në fazën e dytë, Hoxhaj do t’i shënonte Partizanit, në barazimin 1-1, ndërsa dje ka ardhur një tjetër gol, ai i fitores 1-0 të Flamurtarit. Një “vrasës” i vërtetë…
Ardit, me golin e sotëm (djeshëm), po rezultoni si një “vrasës” për Partizanin. E keni bërë me Bylisin dhe kësaj radhe me Flamurtarin…
Unë të gjitha ndeshjet i vlerësoj njësoj, por fati e deshi që unë të shënoj sot (dje) ndaj Partizanit. Pra impenjimi im është maksimal në çdo ndeshje, por fati më ka ecur me të kuqtë.
Sikur e kishit parandier këtë gol para ndeshjes…
Shpresoja që të shënoja dhe kjo u realizua. Jam shumë i lumtur për golin dhe fitoren. Është një fitore që na bën mirë në çdo aspekt, pasi jemi një ekipi i ri, i krijuar në verë. Pikët na ngjisin lart në renditje dhe na mbajnë në moral të mirë. Mendoj se Flamurtari do të bëjë një kampionat të mirë, pasi e kemi nisur me këmbën e mbarë. Shpresoj që pas këtyre dy fitoreve radhazi të krijojmë vazhdimësi.
Jeni ankuar shpesh për gjyqtarët në javët e fundit, si e shikon arbitrimin ndaj Partizanit?
Nuk më takon mua të flas për pjesën e gjykimit. Ne si futbollistë na del për detyrë që të bëjmë detyrën tonë në fushë, për të tjerat mendojnë drejtuesit.
Në dy javët e ardhshme prisni në shtëpi dy kryesueset, fillimisht Kukësin dhe më pas Skënderbeun, Sa ndikon te ju në këto dy sfida mosprania e tifozëve?
Tifozët vlonjatë janë një forcë e madhe për ne ndeshjet në shtëpi. Shpresoj që edhe në këto ndeshje të bëjmë maksimumin si ekip dhe të marrim të gjitha pikët e mundshme ndaj Kukësit dhe Skënderbeut. Të dyja janë ndeshje të vështira, por si fillim do të përqendrohemi vetëm te Kukësi.
Mendoni se ky është viti i duhur i Flamurtarit për të siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës?
Është shpejt akoma për të thënë këtë gjë, pasi janë luajtur vetëm tetë javë kampionat. Presidenti në fillim na ka thënë që objektivi juaj dhe i joni së bashku është respektimi i fanellës. Ndoshta Idrizi nuk ka dashur të na vërë nën presion për të thënë që objektivi ynë janë Kupat e Europës. Par, objektivi ynë kryesor është respektimi i fanellës së Flamurtarit që mbajmë veshur.
Keni ndonjë dedikim për golin që i shënuat Partizanit?
Golin ua dedikoj tifozëve të Vlorës dhe familjes time.