Trajneri i Teutës, Gugash Magani, duke folur në Supersport, nuk e ka fshehur mërzinë për mungesën e fitores ndaj Laçit, edhe pse pritej reagimi i skuadrës. Sipas trajnerit peqinase, skuadra ka nevojë për ndërhyrje urgjente.
“Nuk është pikë kthese, na duhej fitorja dhe barazimi nuk është i mjaftueshëm. Megjithatë, është një moment i veçantë, nuk kemi pasur ndonjëherë krizë të tillë dhe ndeshja ishte e barabartë, ndaj mendoj se ishte rezultat i drejtë. Kemi kaluar një periudhë shumë negative, por tani kemi dy javë kohë për të punuar dhe klubi më ka dhënë besim, ndaj në fazën e dytë gjërat do të përmirësohen.
“Skuadra ka nevojë për më shumë besim në vetvete, bëjmë shumë gabime dhe disa lojtarë nuk e mbajnë dot presionin.
“Në janar do të bëjmë ndërhyrje në skuadër, mbrojtja ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Kemi bërë disa ndërhyrje, por na duhen përforcime, sepse po gabojmë shumë, siç u pa edhe sot.
“Sykaj nuk luan? E kam marrë nga Kategoria e Parë, por nuk ka ritmin e duhur. Nëse gabon Shkalla, është e pranueshme, sepse është i ri dhe është investim i klubit, ndërsa një lojtari si Sykaj, me shumë eksperiencë, nuk i falen gabimet.
“Artur Magani shënoi për Lirinë? Ishte një fitore e rëndësishme dhe Arturi bëri detyrën, por pres edhe më shumë prej tij. Kjo vlen edhe për djalin tjetër, Endrin, që luan te Lushnja. Gjithsesi, nuk jam penduar që e lashë të ikte Arturin, sepse jam betuar që deri në fund të karrierës sime të mos punoj më me djemtë e mi”.