Trajneri i Teutës, Gugash Magani, ka mbetur mjaft i zhgënjyer nga humbja ndaj Partizanit, sidomos për faktin se humbja erdhi në shtesë, kur dukej se kishte marrë fund gjithçka.
– E filluat shumë mirë, por pak nga pak skuadra ra dhe në fund erdhi humbja.
– Në futboll duhet të jesh gjithnjë vigjilent, përndryshe ndëshkohesh. Luajtëm mjaft mirë, por u ndëshkuam si në shumë ndeshje. Ajo që më bën pesimist është që kam kaq kohë që drejtoj skuadrën dhe në shumë ndeshje shënojmë gol, por edhe pësojmë shumë. Kam punuar shumë për të rregulluar defektet, sepse shumë lojtarë nuk mbajnë presionin dhe pozicionet në fushë, edhe goli i parë i Partizanit ashtu erdhi, gabim i mbrojtjes. Futbolli jo gjithnjë është i drejtë, por në Shqipëri shpesh nuk është shpesh i drejtë dhe duhet të dish të hedhësh topin në anësore e të vonosh lojën në fund, ndërsa lojtarët e mi nuk e bëjnë.
– Duket situatë e vështirë.
– Po, është një moment delikat. Sot kishim sërish shumë raste dhe nuk do isha i kënaqur as me barazimin, por ky është futbolli, duhet ta pranojmë siç është.
– Skuadra nuk di të administrojë lojën?
– Skuadra iu përgjigj kërkesave tona deri diku, luajtëm mirë, por më shqetëson pësimi i golit në fund. Mund ta kishim menaxhuar më mirë fundin e ndeshjes.
Javën e ardhshme Kukësi, a besoni se Teuta do të rikuperojë formën psikologjike?
– Do të punojmë për të arritur te suksesi, duke nisur nga ndeshja e kupës të mërkurën. Gjendja nuk është e mirë, duke parë si po shkojnë punët prioritet për momentin është kupa, ndërsa kampionati është i gjatë, ndeshjet duhen marrë një nga një.