Vllaznia u mposht me shifrat 1-2 nga Laçi në ndeshjen e shkuar që u luajt në “Loro Boriçi”, duke rindezur kështu luftën për titull kampion. Erdenis Gurishta merr përgjegjësitë e tij për këtë rezultat, teksa thekson se mund të kishte shmangur golin e dytë, por do i duhej të largohej nga loja me karton të kuq. Në intervistën e realizuar me Gaspër Markun, kapiteni i kuqebluve prek edhe temën për të ardhmen e tij. Gurishta bën me dije se ofertat nga jashtë Shqipërisë nuk kanë munguar për të në janar, por dëshira e tij është ta mbyllë sezonin me Vllazninë.
“Edhe unë për vete ndihem fajtor tek rasti i golit të dytë. Kisha mundësi ta ndaloja kundërshtarin, por rrezikoja kartonin e kuq, ishte fragment sekondi, ashtu e mendova në atë moment. Tani që e mendoj me qetësi, ndoshta edhe kam gabuar, sepse edhe mund të ndikoja që të mos e pësonim golin, por ashtu e mendova në atë moment.
Unë e kam diskutuar edhe me trajnerin pas ndeshjes, dhe Brdariç më tha se ndoshta më mirë ishte që të merrja të kuqe dhe mos të ndëshkohej ekipi. Por, përsëri mendoj se ishte një rrisk, sepse ishte minuta e 70-të e ndeshjes dhe po të mbetej ekipi me 10 lojtarë, nuk dihej se si mund të shkonte loja për ekipin tonë, ndoshta prapë, mund të kishim barazuar apo humbur dhe nuk i dihet.
E ardhmja? Më është bërë shpesh kjo pyetje dhe e kam theksuar se e kam mendjen vetem tek Vllaznia. Është e vertetë që kontrata ime mbaron në maj, pra në fund të sezonit, por nuk e kam mendjen tek fundi i kontatës dhe as tek ofertat. Realisht kam pasur oferta edhe në janar, sidomos nga ekipe jashtë që nëse do të kisha qënë i lirë, ndoshta edhe mund të kisha lëvizur për efekt të anës financiare.
Por unë e kam theksuar që dua të mbaroj sezonin me Vllazninë dhe shpresoj të mbyll një sezon pozitiv, me sukses duke realizuar objektivat tona, pastaj në fund të shohim. Kam pasur disa kontakte me drejtuesit që më kanë thënë për rinovim, por thjeshtë fjalë, por edhe jo shumë gjëra konkrete”, ka thënë Erdenis Gurishta./Halit Delibashi-Sport Ekspres/