Legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthäus, ka bërë parashikimin e tij për gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2026, duke besuar se finalja e madhe do të jetë një përsëritje e asaj të Katarit 2022, mes Argjentinës dhe Francës. Në rubrikën e tij “Lothar Starts” për gazetën Bild, ish-fituesi i Kupës së Botës dhe i Topit të Artë analizoi katër skuadrat e mbetura në garë: Francën, Spanjën, Anglinë dhe Argjentinën. Sipas tij, sfida mes Anglisë dhe Argjentinës pritet të jetë shumë e ekuilibruar dhe mund të vendoset vetëm nga penalltitë. “Kam një ndjenjë se ndeshja do të shkojë te penalltitë. Argjentina do të fitojë. I besoj më shumë Emiliano Martinez sesa Anglisë”, deklaroi Matthäus, duke vlerësuar portierin argjentinas si faktor vendimtar në duelet me eliminim direkt.
Për gjysmëfinalen tjetër, mes Spanjës dhe Francës, 65-vjeçari parashikon suksesin e “Les Bleus”. Ai pranoi se kohët e fundit është mahnitur nga paraqitjet e francezëve, duke theksuar se skuadra e Didier Deschamps kombinon kreativitetin, shpejtësinë dhe spektaklin në fushë. Matthäus shprehu gjithashtu zhgënjimin për eliminimin e hershëm të Gjermanisë, duke theksuar se kishte ëndërruar një rrugëtim të “Die Mannschaft” deri në gjysmëfinale, e madje edhe në finale. Në fund, legjenda gjermane përsëriti bindjen e tij se Franca dhe Argjentina do të përballen në finalen e Botërorit, duke e mbyllur analizën me fjalët: “Më besoni fjalën time.” /Sport Ekspres/