“Lushnja s’dorëzohet lehtë, kemi piketuar afrime”

Koordinatori sportiv i klubit myzeqar thekson se drejtuesit po lëvizin për të forcuar grupin e lojtarëve gjatë merkatos së dimrit

Arjan Likja

Lushnja e vendit të fundit në Superligë i kthehet fushës së blertë për nisur minifazën përgatitore dimërore. Për të rikuperuar diferencën me rivalët lushnjarëve u duhet një përgatitje sa më e mirë dhe sigurisht përforcime. Një mision mjaft i vështirë ky, por jo i pamundur. Ka ende besim se Lushnja do të jetë faktor i rëndësishëm në kampionat, duke nisur që nga drejtuesit e klubit myzeqar.

ARTUR ÇOBANI – Ish-futbollisti dhe ish-presidenti i Lushnjës, Artur Çobani, sot në rolin e koordinatorit sportiv pranë këtij ekipi, merr pjesë direkt në ndryshimet që bëhen te verdhejeshilët. “Nga mënyra si u ndërtua skuadra erdhën edhe ato rezultate negative, – thotë në fillim të prononcimit për “Sport Ekspres” drejtuesi i Lushnjës. – Me gjithë ndryshimin e trajnerit, nuk mund të bëhej më shumë, por kjo nuk do të thotë se kemi hequr dorë nga objektivi për qëndrimin në Superligë. Duhet të ndërhyjmë në shumë gjëra, por kryesore është forcimi i grupit, pra duhet një merkato cilësore. Kemi bërë piketime në tregun vendës, në Superligë dhe në Kategorinë e Parë. Ia kemi sugjeruar kryebashkiakut Tushe, i cili është personi që jep verdiktin përfundimtar. Për këtë qëllim do të mblidhemi shumë shpejt ndërkohë që kemi kontakte me disa futbollistë, që preferojmë t’i bëjmë pjesë të Lushnjës. Lushnja do të stërvitet në qytetin e Durrësit, në resortin “Tropikal”, ku trajneri Hysen Dedja do të ketë mundësinë të bëjë një fazë dimërore sa më të mirë. Këto janë lëvizjet për momentin. Personalisht, bëj pjesë tek ata persona optimistë, që e shohin të realizueshëm qëndrimin tonë në Superligë. Nuk na falet të dorëzohemi pa kushte që në këtë moment”, – ka përfunduar Çobani. Sot pritet të ketë një takim mes drejtuesve të Lushnjës dhe stafit teknik për të folur për merkaton.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *