Tirana është pranë titullit kampion këtë sezon, rrugëtimin drejt së cilit do e rifillojnë sërish nesër. Bardheblutë do të përballen me Bylisin në Ballsh ditën e nesërme, ndërsa sot kanë zhvilluar edhe seancën stërvitore për sfidën e radhës. Por këtë herë kanë pasur një motiv më shumë. “Tirona Fanatics” ka vendosur t’i japë përkrahjen nga afër lojtarëve, teksa një numër i tifozëve kanë shpalosur një banderolë në qendrën stërvitore.
“Luftoni për ngjyrat, luftoni për kryeqytetin. Luani me kokën lartë, bashkë për të 28-tin”, shkruhej në banerin e tyre, duke u përpjekur kështu të motivojnë lojtarët për rifillimin e sezonit. Tifozët nuk mund të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit deri në fund të sezonit, prandaj ashtu si edhe paralajmëruan para disa kohësh, “Tirona Fanatics” po gjen mënyra të ndryshme për të mos e lënë ekipin e zemrës vetëm dhe pa mbështetje./Halit Delibashi-Sport Ekspres/