Shënuesi më i mirë i Luftëtarit ka pasur shqetësime fizike, ashtu si kapiteni Beqiri. Trajneri Lika shpreson për 3 pikët, ndërkohë që shmang çështjen e gjykimit
Gëzim Beqiri
Luftëtari mbylli dje përgatitjet e ndeshjes me Teutën me një lajm jo të mirë, pasi Kristal Abazaj, një nga titullarët më të rëndësishëm, nuk është në gjendjen e duhur fizike. Siç ka pohuar edhe vetë trajneri Lika në konferencën e shtypit, Abazaj ka pasur një shqetësim muskulor dhe gjasat janë që ndeshjen ta nisë nga stoli dhe mund të aktivizohet në pjesën e dytë. Një mungesë me peshë për gjirokastritët, duke ditur formën që po kalon lojtari. Por titullar do të jetë sulmuesi kryesor Vasil Shkurtaj, ndërsa vendin e Abazajt do ta zërë Lamçja. Po ashtu, në stol pritet të jetë edhe kapiteni Beqiri, edhe ai për shkak dëmtimi.
LIKA – Në përfundim të përgatitjeve për takimin e sotëm ndaj Teutës, trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika, ka dalë në konferencën e zakonshme të shtypit. Mes të tjerash ai është shprehur: Edhe pse ndeshjen ndaj Teutës e luajmë në fushën tonë, jam i bindur se nuk do ta kemi të lehtë. Do të jetë ndeshje e vështirë nga situata ku ndodhen ekipet. Teuta është e rrezikuar për të rënë nga Superliga dhe pretendon të marrë pikë, ndërsa ne jemi në kërkim të kupave të Europës. Jemi në një moment, ku kërkojmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive, por dhe kundërshtari ka arritur rezultate të mira. Për formacionin mund të them se nuk kemi futbollistë që mungojnë, por kemi disa lojtarë me dëmtime të lehta.
Dëmtimet e titullarëve mbeten për t’u parë deri nesër (sot), kur do të vendoset për aktivizimin e tyre. Ata që do të zbresin në fushë, do të dinë të demonstrojnë cilësitë e tyre më të mira. Formacioni do të jetë më i miri, pavarësisht gjendjes jo të mirë fizike të liderëve. Bëhet fjalë për kondicionin jo maksimal të mbrojtësit Orjad Beqiri dhe shënuesit më të mirë të Luftëtarit, Kristal Abazaj. Të dy mund ta nisin ndeshjen nga stoli. Pavarësisht situatës së fundit, Luftëtari e ka potencialin për të përballuar një kundërshtar si Teuta, që vërtet nuk ka lider, por luan në grup”.
GJYKIMI – Në Gjirokastër i tremben gjykimit, aq më shumë sot, sepse Teuta është favorizuar dukshëm nga arbitrat. Tani që skuadra durrsake ndodhet në zonën e rënies nga Superliga, e ka të nevojshme fitoren, ndërkohë që trajneri Lika për këtë çështje ka thënë: Është koha të mos merremi me arbitrimin. Përkundrazi, edhe pse jemi penalizuar në të shkuarën, e kemi dhënë opinionin tonë. Nuk mendoj se gjyqtarët do të ndikojnë në rezultatin e ndeshjes. Jemi ankuar për gjyqtarët në kohën e duhur. Uroj të jetë ndeshje e mirë për ne dhe gjyqtarët. Të realizojnë qëllimin kryesor që kemi, mbarëvajtjen e ndeshjes, duke zbatuar rregulloren.
Formacioni i mundshëm i Luftëtarit
Athanasopulos – Liçaj, Rapa, Jakovljeviç, Xhekson – Ramadani, Aleksi – Lamçja, Rroca, Bregu – Shkurtaj