Te Luftëtari e konsideronin lojtar me të ardhme të sigurt, që mendohej si një pasues i mundshëm i Abazajt apo Bregut, por këta të fundit nuk po largohen as këtë janar, me sa duket, ndaj Silvio Zogaj është lodhur së prituri, aq më shumë që prej janarit Luftëtarit i bashkohet edhe sulmuesi Vasil Shkurtaj.
Për këtë arsye, Zogaj ka vendosur të largohet nga Luftëtari, pas një viti e gjysmë në Gjirokastër, ku ka shënuar dy gola në kupë, por këtë sezon nuk është aktivizuar thuajse fare në kampionat, me vetëm 18 minuta në total.
20-vjeçari lezhjan ka njoftuar në Facebook ndarjen nga klubi gjirokastrit, ndërsa në janar do të bëhet me ekip të ri dhe ofertat nuk i mungojnë.
“Të dashur miq, dashamirë e tifozë , dua t’ju njoftoj se nga sot nuk do të jem më lojtar i Luftëtarit. Ishte një eksperiencë e bukur dhe e paharrueshme për mua, e për këtë më duhet të falënderoj pa përjashtim çdo pjesëtar të klubit… Dua të falënderoj presidentin Grigor Tavo, drejtuesit e klubit që më mbështetën gjithmonë, trajnerin Mlladen Milinkoviç që besoi tek unë dhe më dha mundësinë të luaj në moshën 18-vjeçare në Superligën shqiptare, të gjithë njerëzit që punojnë në klub dhe gjithashtu tifozët që më kanë mbështetur çdo moment. Falënderimi më i madh shkon për të gjithë shokët e skuadrës, nga i pari tek i fundit nuk kam fjalë për t’i falënderuar për atë që kanë bërë për mua. Unë e jetoj jetën për t’u përballur me sfida të reja dhe mendoj se kjo eksperiencë do të më ndihmojë të përballoj një sfidë më të vështirë të jetës profesionale në vazhdim. Dua t’i uroj shumë suksese ekipit të Luftëtarit dhe të vazhdojnë të punojnë ashtu siç kanë punuar gjithmonë për të arritur aty ku i takon. Në ditët në vazhdim do t’ju vë në dijeni për klubin e ri…!”.