Luftëtari në Slloveni, Liçaj dhe Ramadani: Do kualifikohemi!

Gëzim Beqiri

Luftëtari është nisur mëngjesin e djeshëm nga Gjirokastra për të udhëtuar drejt Sllovenisë, ku deri më 5 korrik do të kryejë stërvitjen në kuadrin e përgatitjeve për ndeshjet e Europa League. Më 12 korrik do të luaj ndeshjen e parë në Letoni me Ventsplis dhe një javë më pas ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena”. Drejt Sllovenisë kanë udhëtuar dje 23 futbollistë, bashkë me stafin teknik, por në ditët e qëndrimit atje priten që skuadrës gjirokastrite t’i bashkohen edhe dy lojtarë të tjerë për plotësimin e sulmit. Në grupin aktual bën pjesë edhe shkodrani Erjon Vucaj, që i është bashkuar grupit në Tiranë, çka nënkupton se do të zyrtarizohet me Luftëtarin, pavarësisht se është ende nën kontratë me Vllazninë. Gjatë qëndrimit në Slloveni, Luftëtari do të zhvillojë 4 takime miqësore me Rabotniçkin, Aluminj, Voluntaris dhe Krsko.

LIÇAJ – Para nisjes për në Slloveni, dy futbollistët e Luftëtarit, Lejdi Liçaj dhe Behar Ramadani, janë shprehur mjaft optimistë për Luftëtarin e ri. Vlonjati ka thënë: ”Tashti mund të them se jemi gati. Me kthimin e Dejvi Bregut, jemi edhe më të kompletuar, duke mbetur mungesa e vetme ajo e Abazajt, që do të ishte shumë i nevojshëm, por kuptohet që largimi i tij është mirë për Kristalin. Kam mendimin se do të bëjmë mirë në Europë, ku shorti është treguar bujar ndaj nesh. Ventsplis nuk shihet si një mision i pamundur. Të largojmë euforinë dhe t’i respektojmë në fushë, në mënyrë që të evitojmë surprizën e pakëndshme. Kundërshtari nuk është shumë i fortë, por ka eksperiencë në ndeshjet ndërkombëtare”

RAMADANI – Kurse mesfushori me përvojë, Behar Ramadani, ka theksuar: ”Jemi gëzuar për ardhjen e Bregut, jo vetëm për cilësitë që ka si futbollist, por ka gëzuar gjithë qyteti për të. Atmosfera në ekip është e mirë. Pushimet zgjatën pak në këtë verë, pasi do të luajmë në Europë dhe kjo është historike për Luftëtarin. Kalimi i turit të parë do të jetë edhe më historik. Po bëjmë përgatitje maksimale, që të paraqitemi sa më mirë ndaj letonezëve, me shpresën për të kaluar turin e parë. Kundërshtarin nuk e njohim mirë për momentin, por stafi teknik ka vëzhguar një ndeshje në atë kampionat. Pas përgatitjeve në Slloveni dhe zhvillimit të disa ndeshjeve miqësore, mund të flasim me siguri se ku jemi. Ajo që garantoj është se jo vetëm unë, por i gjithë grupi, do të japim maksimumin në fushë”.

Lista e lojtarëve që shkuan në Slloveni

Shkëlzen Ruçi

Hërvoje Bukovski

Oltion Rapa

Lejdi Liçaj

Nemanja Janiçiç

Xhekson

Aurel Demo

Stivian Janku

Behar Ramadani

Albano Aleksi

Eduard Rroca

Erjon Vucaj

Donald Rapo

Vladan Milosavljev

Dejvi Bregu

Maldin Ymeraj

Erald Hyseni

Aldrit Oshafi

Donald Açka

Aristotel Bellai

Vasil Shkurtaj

Romario Çekaj

Sebastian Molla

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *