Nga klubi po mendohet që tani për kompletimin e grupit me elementët e duhur në numër dhe në cilësi, por deri në janar duhen sa më shumë pikë
Gëzim Beqiri
Luftëtari ka zhvilluar dje vetëm një seancë stërvitore në “Fushën e Vjetër”, për të vazhduar sot me dy të tilla, paradite po në këtë terren, ndërsa pasdite në fushën e stadiumit. Trajneri Hasan Lika u ka bërë me dije futbollistëve programin stërvitor, ku seanca e pasdites do të ketë formatin e një ndeshjeje kontrolli. Luftëtari do të luajë ndeshjen e radhës me Vllazninë në Shkodër dhe nisja drejt qytetit verior do të bëhet të shtunën, pas një tjetër seance stërvitore, por të kufizuar në kohë. Të gjitha përgatitjet e kësaj jave i kushtohen ndeshjes më të rëndësishme të kësaj faze, jo se të tjerat nuk e kanë rëndësinë e duhur. Në këtë moment Luftëtari dhe Vllaznia janë në pozita të barabarta dhe kërkohet shkëputja prej secilës skuadër.
Luftëtari mori shumë pak pikë në tri ndeshjet e fundit në Gjirokastër. Humbja me Teutën dhe barazimi me Laçin ia kanë vështirësuar shumë pozitat në klasifikim, ku bashkë me Lushnjën është më i rrezikuari për rënien nga Superliga. Një fitore në Shkodër kompenson pikët e lëna në fushën e vet dhe jo pa qëllim ekipi përgatitet për të marrë maksimumin në këtë transfertë. Stërvitja e djeshme nuk kishte shumë ndryshim në përmbajtje nga ajo e ditëve të tjera, veçse përqendrimi dhe përkushtimi i trajnerit Lika në veprimet me lojtarët ishte i dukshëm.
NDRYSHIMET – Tani në kampin gjirokastrit flitet se do të ketë shumë ndryshime në përbërjen e ekipit me fillimin e fazës së tretë, por nuk përmenden emrat. Ajo që konstatohet nga stafi teknik është se ka mungesa futbollistësh në numër, por më shumë në cilësinë e kërkuar, sidomos në sulm. Nuk mjafton vetëm sulmuesi Vasil Shkurtaj, i cili është në listën e federimit, edhe pee nuk mund të aktivizohet deri në janar. Ndërkohë, do të kërkohet një tjetër portier pas largimit të Mirakës, i cili ka kërkuar dokumentacionin nga drejtuesit e Luftëtarit. Largimi i dy të huajve Nunies dhe Nasif, por edhe të tjerëve, për të cilët është hedhur që tani mendimi, do ta bëjë Luftëtarin një skuadër me përbërje të re në fazën e tretë. Duhet shfrytëzuar merkatoja e janarit për të kompletuar grupin. Jo më kot kërkohet nga trajneri Hasan Lika që ekipi të grumbullojë sa më shumë pikë. Sipas tij, as që duhet menduar se Luftëtari do të zbresë nga Superliga. Duke korrigjuar disa mangësi në lojë me përforcimet e ardhshme, skuadra duhet të mbijetojë. Largimi i disa futbollistëve për cilësi të dobët dhe mungesë rezultatesh pa përfunduar faza e parë, përfshirë edhe stafin teknik nga Uruguai, tregon se merkatoja e verës nuk ka qenë e studiuar mirë.