Luftëtari i kishte harruar arbitrat, sepse që pas ndeshjeve skandalozeve në vjeshtë, u duk se dallga kundër skuadrës gjirokastrite kishte rënë.
Në Korçë filloi sërish batica, sepse gjyqtari Emirion Sino akordoi një penallti inekzistente për Skënderbun, ndërsa asistenti Ilir Tartari nuk pa një penallti neto në favor të Luftëtarit sapo nisi pjesa e dytë, për një prekje me dorë në zonë nga Mici.
Sot Luftëtari i ka dërguar një kërkesë FSHF-së, ku kërkohet që të merren masa për arbitrat në fjalë, të cilët Luftëtari nuk i do më në ndeshjet e veta, as te ekipi i parë e as te të rinjtë.
Nëse FSHF nuk reagon, Luftëtari nuk do të zbresë në fushë nëse arbitrohet prej tyre dhe preferon t’i humbasë ndeshjet në tavolinë.
“Klubi i futbollit Luftëtari nuk do të zbresë më në fushë, në rast se gjyqtar do të jetë Emirjon Sino apo asistent Ilir Tartari. Ky është vendimi i klubit, për të përjashtuar nga marrëdhëniet e tij këta dy personazhe që nëpërkëmbin djersën e lojtarëve tanë apo investimin e presidencës. Falënderojmë gjithë sportdashësit e Superligës dhe ne veçanti tifozët tanë për mbështetjen në këtë rast skandaloz dhe i bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje, pasi Gjirokastra është burim i vlerave të pastra sportive. Jemi të vendosur që të kërkojmë në rrugë institucionale të drejtën tonë, ndërsa nga ana sportive përgjigjet do t’i japim në fushën e blertë.
Ju Faleminderit!