Gjirokastritët kanë siguruar kualifikimin, duke fituar pastër 3-0 në transfertën e Elbasanit
Elbasani – Luftëtari 0-3
Shënues: Janku 39’, Zogaj 44’, Nunjes 83’
Elbasani: Dosti, Dishani, Asllani, Selimaj, Bogdani, Xh. Bajrami (Xhakeri 46’), Lleshi, Dervishi, S. Bajrami (Sadiku 46’), Ramzoti, Hanoli (Dalipi 70’). Trajner: A. Kila
Luftëtari: Ruçi, Zogaj, Nunes, Nasif, Janku, Hoxha, Puci, Kasa, Toledo, Lamçja, Përgjini (Mahmutaj 70’). Trajner: D. Fernandez
Gjyqtarë: E. Bastari, R. Zaimi, A. Koçiaj (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Hanoli, Ramzoti, Selimaj / Lamçja
Vëzhgues: Servet Bogdani (Durrës)
Delegat: Ilirjan File (Elbasan)
Luftëtari nuk has pengesa në Elbasan, teksa fiton bindshëm 0-3 në transfertë, duke hipotekuar në këtë mënyrë edhe kalimin e turit në Kupën e Shqipërisë. Miqtë kanë dominuar në lojë, duke mos e vënë në asnjë moment në dyshim fitoren, kjo edhe për faktin se vendasit dolën në fushë me ekipin e të rinjve. Sa i përket golave, dy u shënuan në fundin e pjesës së parë nga Janku dhe Zogaj dhe në të dytën trefishoi rezultatin Nunjes.
NDESHJA
Miqtë nga Gjirokastra nuk deshën t’ia lënë asgjë rastësisë dhe rrezikuan që në fillim të lojës, duke i mbyllur verdheblutë në zonën e tyre dhe shënjestruar shumë herë portën e mbrojtur nga Dosti. Në disa raste me Përgjinin dhe Zogajn gardiani elbasanas e mbajti të paprekur rrjetën, duke mbajtur në lojë verdheblutë. Ndërkaq, elbasanasit e “vegjël” luajtën fort në mesfushë, por e kishin të vështirë që të shfaqen rrezikshëm në portën e mbrojtur nga Ruçi, i cili nuk u vu në vështirësi për asnjë moment. Atëherë kur u mendua se pjesa e parë do mbyllej në barazim pa gola, mendoi Janku me një goditje me kokë brenda zonës në të 39′ dhe më pas Zogaj i vetëm me Dostin në të 44-ën realizoi golin e dytë. Fraksioni i dytë i lojës nisi menjëherë vrullshëm për miqtë, të cilët goditën shtyllën me anë të Përgjinit pas një goditje të bukur nga jashtë zone. Megjithatë, ritmi i lojës ra shumë dhe për minuta të tëra munguan rastet në portat respektive, pasi u duk sikur skuadrat u pajtuan me këtë rezultat. Në minutën e 83′ erdhi dhe trefishimi i rezultatit me anë të Nunjes, i cili gjuajti fort nga jashtë zone dhe sfera u ndal në rrjetë. Miqtë hipotekuan në këtë mënyrë kalimin e turit në kupë. Fatmir Popja
Kila: E prisja rezultatin
Trajneri i Elbasanit, Arjan Kila, nuk ka pasur shumë për të komentuar, teksa shkurtimisht ka thënë: “E dinim që përballë do të kishim një kundërshtar që do të luante fort dhe do të tentonte ta fitonte ndeshjen, pasi kanë kualitete dhe militojnë në Superiore. Në hymë në fushë për të dhënë më të mirën tonë dhe jam i kënaqur nga loja që zhvilluam, edhe pse rezultati nuk foli për ne”.
Fernandez: I kënaqur nga loja
Tekniku i Luftëtarit, Daniel Fernandez, është shfaqur lumtur për triumfin. Sipas tij, tashmë kualifikimi është një çështje gati e sigurt: “Nuk prisnim një ndeshje të lehtë sot (dje), pasi pavarësisht pozitave që ka Elbasani, është një skuadër që meriton respekt. Kemi bërë një udhëtim 4 orësh dhe erdhëm le të themi me ekipin e dytë në këtë përballje. Në përgjithësi jam i kënaqur nga loja që zhvilluan djemtë në fushë dhe me këtë rezultat kemi bërë një hap te sigurt për kalimin e mëtejshëm në kupë”.