U mbyll edhe ky sezon! Po, po. U mbyll. Kukësi kampion, Partizani, Skënderbeu dhe Tirana në Europa League, ndërsa në kategorinë e dytë (na falni që nuk e quajmë dot Kategoria e Parë) shkojnë Tirana dhe Korabi… Mbetet jashtë skuadra surprizë, hirushja e edicionit, ose më saktë, ekipi që ka ofruar futbollin më të bukur, Luftëtari i Gjirokastrës.
Fitorja e javës së fundit, ndaj Kukësit, që nuk kishte humbur asnjë ndeshje deri në epilog, nuk ka vlejtur. Kjo pasi në finalen e Kupës së Shqipërisë, fituese ka qenë skuadra e Tiranës, ndaj Skënderbeut, me rezultatin 3-1. E të shohësh fytyrat e lojtarëve bardheblu që nuk qeshin teksa ngrenë kupën, të duket sikur po thonë “po ne çfarë duam në Europë edicionin tjetër”…
Na fal Luftëtar, por nuk ishte e thënë. E respektove deri në fund kampionatin, s’bëra aleanca me askënd, luftove edhe ndaj gjyqtarëve, që me ty s’u treguan edhe aq të drejtë. Në fund, nuk ia dole dot. Europa do të jetë për një herë tjetër. E dimë që e ke të vështirë ta kapërcesh këtë dhimbje e hidhërim, por shpresojmë që të gjesh forcën të reagosh.
Na tregove se e bukura nuk çmohet… Ose, çmohet vetëm në raste të caktuara. Dhe ti nuk ishe rast i caktuar. Edhe pse, gjysmën e skuadrës tënde dhe trajnerin, e duan në merkato. Duartrokitje për ty, meritoje më shumë se kaq… Do të jetë për një herë tjetër, me shpresën që të ndodhë vërtet.