Trajneri i gjirokastritëve ka lënë të kuptohet se jo vetëm me Lushnjën, por edhe në ndeshjet e tjera, lojtarët duhet të zbresin me mendësi sulmuese në fushë
Gëzim Beqiri
Janë duke u përgatitur me dy seanca stërvitore në ditë futbollistët e Luftëtarit, paradite në sallën e forcës dhe pasdite në fushë. Duhet fituar patjetër ndaj Lushnjës të shtunën dhe trajneri Hasan Lika është munduar t’ua bëjë të qartë të tijve se nuk duhet të ketë asnjë nënvlerësim nga fakti që Lushnja është në fundin e tabelës. Lushnjarët, të cilët sapo kanë ndërruar trajner, do të mundohen të marrin një pikë në Gjirokastër dhe sigurisht do të luajnë me shumë forca në mbrojtje, kështu që Luftëtarit i duhet të gjejë sa më shpejt rrugën e rrjetës.
Goli i ka munguar Luftëtarit në shumë ndeshje, ku loja e zhvilluar nuk u përgjigjet rezultateve, sidomos në dy ndeshjet e fundit me Kukësin dhe Skënderbeun. Trajneri Lika ka vetëm dy javë në stolin gjirokastrite dhe i është përmbajtur në përgjithësi po atij formacioni që Luftëtari ka luajtur edhe me trajnerët uruguaianë. Po ashtu, edhe në seancat stërvitore ka praktikuar pothuajse ushtrime të njëjta. Ajo që po ndryshon në stërvitje është se futbollistët i mban të bashkuar dhe vepron vetëm në çerekun e gjatësisë së fushës së stërvitjes, në mënyrë që të ketë sa më shumë kontakt me topin, por edhe për të komunikuar direkt me ta. Sipas trajnerit Lika, ndaj Lushnjës, por jo vetëm ndaj saj, Luftëtari do të zhvillojë lojë më sulmuese, duke nënkuptuar aktivizimin e më shumë futbollistëve përpara. Ekipi do të futet në fushë me mentalitet sulmues.
Me kthimin në formacion të Aleksit dhe Toledos, Luftëtari nuk do të ketë asnjë mungesë në ndeshjen e radhës, kështu që stafi teknik ka mundësinë të bëjë zgjedhjen e duhur. Tani trajneri e ka më të lehtë të ndërtojë një formacion, sipas taktikës së zgjedhur, sepse ka njohje më të mirë të aftësive të çdo futbollisti. Luftëtari ka për të zhvilluar tre takime radhazi në Gjirokastër dhe ka si objektiv fitoren, si ndaj Lushnjës, por edhe ndaj Teutës dhe Laçit në vazhdim.