Gjirokastritët kanë afruar lojtarët që kanë dashur në merkato dhe janë plotësisht gati për pjesën e dytë të kampionatit
Gëzim Beqiri
Luftëtari po vazhdon përgatitjet në Antalia, ku do të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera miqësore, pas asaj me Trabzonsporin, ku u mund 1-2. Nesër është parashikuar të luajë me ekipin e Malatjasporit, që renditet në vend të 10-të në kampionatin turk. Duket se Luftëtari e ka mbyllur merkaton, pasi ka afruar lojtarë si Vasil Shkurtaj, Amarildo Çekrezi, Kejdi Balla, David Bocaj, Marko Aurelio, Xhekson Ferreira, Alesio Hyseni, Ivan Jakovljeviç dhe Kristo Minga. Sipas informacionit të marrë nga Antalia, ekipi vazhdon me dy seanca stërvitore në ditë dhe ajo që ka rëndësi është se të gjithë futbollistët janë në gjendjen e duhur fizike, duke mos pasur asnjë të dëmtuar. Ndryshe nga një vit më parë, kushtet e terrenit dhe të motit janë të përshtatshme për zhvillimin normal të stërvitjes. Edhe pse ka shumë futbollistë të ardhur rishtaz në skuadër, nga formacioni që luajti ndaj Trabzonsporit nuk priten shumë ndryshime, si për miqësoret që do të luhen atje, ashtu edhe për ndeshjet e kampionatit.
Përveç sulmuesit Vasil Shkurtaj, i cili duket se do të jetë i palëvizshëm në formacion, ndoshta braziliani Xhekson dhe serbi Ivan Jakovljeviç do të plotësojnë formacionin gjirokastrite, pas largimit të disa futbollistëve që ishin më parë në skuadër. Largimi i mbrojtësit të majtë, Vangjel Zguro, gjen zëvendësimin nga Xhekson, kurse për të tjerët do të jetë zgjedhje e stafit teknik, ku për këtë dilemë do të shërbejnë ndeshjet miqësore, që Luftëtari do të zhvillojë në Turqi. Rëndësi ka që tani skuadra gjirokastrite është e kompletuar jo vetëm me numrin e duhur të futbollistëve, por janë përzgjedhuar ata që ishin të nevojshëm sipas rolit. Me aktivizimin e Vasil Shkurtajt, plotësohet sulm dhe kjo u manifestua edhe në ndeshjen e parë miqësore, ku Luftëtari kishte epërsi në lojën sulmuese. Shkurtaj, edhe pse u aktivizua vetëm një pjesë loje, arriti të krijonte disa raste dhe të shënonte golin e vetëm të Luftëtarit.
Nesër Luftëtari plotëson një javë qëndrimi në Antalia dhe do të vazhdojë të stërvitet aty edhe për një javë tjetër. Pastaj do të kthehet në Gjirokastër dhe do ta fokusojë stërvitjen në kuadër të ndeshjes së javës së 17-të me Skënderbeun, që luhet më 27 janar, në Gjirokastër.