Stafi teknik po punon shumë për përmirësimin e gjendjes fizike, ndërkohë që vëmendje e veçantë i kushtohet aspektit sulmues
Gëzim Beqiri
Nga mënyra si stërvitet Luftëtari, krijohet ideja se ekipi është ende në fazë përgatitore. Tepër të përkushtuar stafi teknik dhe futbollistët, që zhvillojnë dy seanca në ditë, por stërvitja e pasdites vazhdon më shumë se dy orë. Paradite futbollistët kalojnë rreth një orë në sallën e forcës dhe pasdite kalohet në ushtrime taktike. Dje, tri ditë para ndeshjes me Vllazninë, që do të luhet ditën e shtunë në Gjirokastër, është zhvilluar një lojë midis dy ekipeve të improvizuara. Mungonte vetëm mbrojtësi Zguro për arsye dëmtimi, por është kthyer në stërvitje më kohë të plotë Eduard Roca, i cili ka munguar në dy javët e para. Nuk dihet, nëse Zguro dhe Roca do të jenë titullarë ndaj Vllaznisë, por pritet të ketë ndryshime në formacion. Veç grupit dje ka dalë në stërvitje vlonjati Vasil Shkurtaj, i cili do të aktivizohet me Luftëtarin në janarin e vitit të ardhshëm, pasi është ende nën kontratë me ekipin qipriot Aris Limasol. Me aktivizimin e tij Luftëtari do të jetë më i kompletuar në sulm. Tani i duhet Abazajt të luajë në sulm. Ai është dalluar në dy ndeshjet e para, duke shënuar Teutës edhe Laçit dhe duke i dhënë njëkohësisht Luftëtarit 3 pikët e para.
BREGU-LAMÇE – Dje u panë të kryenin veprime sulmuese jo vetëm Dejvi Bregu, që në çdo ndeshje kryen veprime sulmuese, pavarësisht se rreshtohet në mesfushë, por edhe Eri Lamçe. Kthehet uruguaiani Nunies, pas kartonit të kuq të marrë ndaj Teutës. Edhe ky është lojtar që mund të kryejë më shumë detyra sulmuese. Deri tani trajnerët Fernandez dhe Curbelo kanë luajtur me skemën 4-2-3-1. Ishte ky rreshtim, që ndaj Laçit funksionoi mirë dhe Abazaj, duke përfituar nga aftësitë individuale, luajti i vetëm në sulm. Jo vetëm në rastin e golit, por edhe në dy momentet e goditjes së shtyllave, aksionet ishin me fillesë nga mesfusha dhe me pak pasime. Në përvetësimin sa më mirë të kësaj skeme është punuar edhe në stërvitjen e djeshme.