Luajnë ndaj Mezanit, Plisat njoftojnë protestën: Nuk jemi ekip province!

Gjilani që mban vendin e parë në Kosovë, do të ketë një ndeshje të rëndësishme ndaj Prishtinës. Por ekipi i Mezanit e gjen rivalin në një moment të keq, pasi po vazhdojnë mosmarrëveshjet me tifozët.

“Plisat” kanë njoftuar protestën e radhës që do të bëhet kundër kryesisë së klubit, duke theksuar faktin se Prishtina nuk është ekip province. /Sport Ekspres/

Njoftimi i plotë

MOBILIZIM!

Kundër gjendjes në klubin tonë KF PRISHTINA!

I gjithë kryeqyteti, të gjithë adhuruesit e klubit po flasin vetëm për një gjë… Cka po ndodhë me klubin Prishtina?! DUHET TË REAGOJMË.

Kjo çfarë po shohim sot e 6 vite, nuk po i ngjanë Prishtinës. Duke mos mjaftuar kjo, sjelljet e kryesisë së klubit karshi kësaj situate janë për çdo kritikë. Duke e injoruar si problem, sikur Prishtina të ishte klub province, pa kurrfarë historie. Në vend se të marrin përgjegjësi ata merren me adhuruesit e tyre, duke ftuar policinë speciale në ndeshjen e fundit e cila është sjellur brutalisht ndaj adhuruesve të saj.

Prandaj të dielën, në ndeshje me Gjilanin ftojmë të gjithë adhuruesit e KF Prishtinës, ata që janë të shqetësuar me këtë gjendje aktuale të klubit tonë, të vijnë dhe nga tribunat gjatë ndeshjes të protestojmë kundër kryesisë së klubit tonë, për gjendjen në të cilën ndodhet klubi ynë.

Para se të ndodhë kjo, në mënyrë që mos të kemi keqkuptime, i sqarojmë opinionit se Plisave nuk u intereson aspak se kush është trajner i Prishtinës, siç po pretendohet nga disa. Le të jetë kushdo që e nxjerrë klubin nga gremina, sepse 6 vite në këtë gjendje, shihet qartë që problemi në të cilin kemi ardhur, nuk ka qenë tek trajnerët por edhe më i madh se aq.

Plisave nuk u intereson as kush largohet e as kush rrin në kryesinë e klubit.

Kemi pritur kalimin e “krizave”, kemi duruar zhvillimin e ndeshjeve larg  stadiumit tonë, kemi duruar humbjet nga lloj-lloj skuadra ZHL. Kemi duruar 6 vite zhgënjime e arsyetime koti. Po hyjmë në vitin e 7-të. Prapë me probleme.Dikur kishte “arsyetime”, më nuk ka. Kjo çfarë po shohim tash e sa vite, nuk është Prishtina të cilën e njohim.

Ne në stadium vijmë vetëm për atë amblemë, vetëm për ato dy ngjyra, historinë e atij dresi. Plisat dhe adhuruesit e Prishtinës protestojnë për KTHIMIN E PRISHTINËS SË VËRTETË. Asaj Prishtine që kryesia e klubit ia ka zbehur ngjyrat.

Ose merni përgjegjësi dhe punoni për ta larguar këtë “kancer” që e ka kapluar klubin ose ecni prej aty.

Prandaj ju ftojmë të gjithëve për masovitet në ndeshje me Gjilanin. Lojtarëve dhe klubit tonë I dëshirojmë sukses drejt fitores. Neve na kanë prapa kur ata dhe secili që është pjesë e Prishtinës, len zemrën në atë stadium dhe për atë klub.

Prishtina – Gjilani

E diel, 22 shtator 2019

Ora 20:00

Stadiumi Fadil Vokrri

Hyrja 3 euro