“Luajmë për fitore me Bosnje-Hercegovinën, përgatitemi me moralin lart për Elite Round të Europianit U-17”

Kombëtarja shqiptare U-17 ka nisur që të dielën grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore kundër Bosnje-Hercegovinës të programuara për t’u luajtur më datat 15 dhe 17 shkurt, me lojtarët e ftuar nga stafi teknik që janë paraqitur dhe kanë zhvilluar tashmë seancën e parë stërvitore. Trajneri Ervin Bulku ka nisur nga puna me grupin, teksa nuk ka probleme fizike dhe i gjithë grupi është në formë optimale.

Grupi kuqezi e ndjen rëndësinë e këtyre dy sfidave dhe kjo kuptohet qartë nga fjalët e protagonistëve me ekipin që po zhvillon testet e fundit para ndeshjeve të marsit, me Shqipërinë U-17 të impenjuar në fazën Elite Round të Europianit të moshës U-17.

Mbrojtësi Ernesto Bakiu nuk e fsheh kënaqësinë që ka marrë ftesën nga Kombëtarja U-17 për miqësoret e radhës, ndërsa thekson se me Bosnjen synimi është për të marrë dy rezultate pozitive, ndonëse të gjithë janë të ndërgjegjshëm për vlerat që ka kundërshtari.

“Ndihem shumë krenar që jam sërish pjesë e Kombëtares U-17, kemi një grup shumë interesante, ndërsa kemi zhvilluar seancën e parë stërvitore të grumbullimit në prag të miqësoreve me Bosnje-Hercegovinën. Në fakt, kemi përball një kundërshtar shumë të fortë, ne po përgatitemi me seriozitet maksimal për këto dy miqësore, teste që janë shumë të vlefshme për t’u përgatitur sa më mirë për sfidat me rivalët që do të kemi në fazën Elite Round të Evropianit dhe shpresoj që të bëjmë një paraqitje shumë të mirë si skuadra, gjithashtu edhe unë personalisht. Është shumë e rëndësishme të marrim dy rezultate pozitive me Bosnjen sepse kjo do të na rriste edhe moralin e skuadrës para Evropianit. Duke qenë se luajmë në fushën tonë këto miqësore ndihemi edhe më të sigurt. Personalisht uroj të bëj paraqitje sa më të mira me Kombëtaren U-17, duke shpresuar që të vazhdoj rrugëtimin në të gjithë ekipet Kombëtare për të arritur deri te Kombëtarja A”, – thotë Bakiu në prononcimin e tij për Fshf.org.

Edhe mbrojtësi shkodran, Egert Selmani, thekson se dy rezultate pozitive në këto miqësore do ta ndihmonin shumë ekipin të shkonte me moralin lart në fazën e Elite Round të Europianit të moshës U-17. Shqipëria është shortuar në Elite Round në grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë dhe të gjitha ndeshjet e kësaj faze do të luhen në vendin tonë në muajin mars.

“Ndihem mjaft mirë, sepse është gjithmonë një nder i madh të grumbullohesh me ekipin Kombëtar. Për mua nuk është hera e parë që vesh fanellën kuqezi dhe jam shumë i kënaqur nga ftesa. Kemi dy ndeshje shumë të forta miqësore ndaj Bosnjes që do të na ndihmojnë që të përgatitemi sa më mirë. Bosnja ka një skuadër shumë të fortë, por ne do të tentojmë të marrim rezultate pozitive në këto dy sfida, teksa luajmë edhe në fushën tonë para publikut shqiptar, dhe do të na ndihmojnë të kemi moralin lart për turneun zyrtar. Këto miqësore janë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e Elite Round kundër Francës, Letonisë dhe Zvicrës. Shkalla e vështirësisë në këto ndeshje do të jetë mjaft e lartë, por ne do të japim maksimumin me qëllimin për të marrë rezultate pozitive. Do të bëj gjithçka personalisht duke dhënë maksimumin me fanellën kuqezi dhe shpresoj që një ditë të mund të jem pjesë e Kombëtares A”, – shprehet Selmani.

Ndeshja e parë miqësore është planifikuar të zhvillohet më 15 shkurt, duke nisur në ora 15:00 në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, ndërsa sfida e dytë Shqipëri U-17 – Bosnje Hercegovinë U-17 do të luhet më 17 shkurt, në ora 11:30 në stadiumin kombëtar “Air Albania” në Tiranë. Siç është bërë e ditur, në të dyja takimet, Federata Shqiptare e Futbollit do të hapë dyert për të gjithë tifozët, për t’u dhënë sa më shumë mbështetje kuqezinjve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *