Nga Klaudio Ndreca
Ramen Cepele do të hynte në historinë e Kombëtares së Shqipërisë pasi debutoi me fanellën e kuqezinjve në moshën 17-vjeçare. Pikërisht në atë miqësore kundër Kosovës, ku pas një ndeshje të shkëlqyer, “qershinë mbi tortë” do t’ia merrte Vedat Muriqi në festën e Cepeles.
Me një penallti më tepër të fituar me zgjuarsi të sulmuesit të Lacios sesa e shkaktuar nga mbrojtësi i ri, ky ishte kujtimi i vetëm jo shumë i bukur nga kjo vëllazërore. “Pas Kosovës u largua me lot në sy nga fusha. Më tepër jo për shkakun e asaj penalltie të shkaktuar ndaj Muriqit, por me krenarinë e madhe për arritjen që bëri te Shqipëria”. Ky është përshkrimi i “Transfermarkt” dhe ku Cepele ka dhënë një intervistë të gjatë.
“Unë isha shumë i lumtur pasi mora shansin tim për të luajtur ndeshjen e parë me Shqipërinë. Kjo ishte arritje e madhe, por gjithashtu edhe një hap i vështirë për mua. Do të ishte më mirë nëse do të kishte tifozë në stadium. Sa i përket ekipit, familja u lumtura për faktin se u largova nga Interi dhe shkova te Hanoveri. E ndiej Hanoverin si shtëpinë time, shokët e ekipit dhe trajneri më kanë pritur me krahë hapur.
Në ndryshim nga futbolli në Gjermani, në Itali i kushtojnë më tepër vëmendje anës taktike, prandaj unë ndihem më i lirë këtu. Si idhull kam Virgil Van Dijk pasi është një mbrojtës qendre shumë i fuqishëm dhe ka ndërhyrje shumë të sakta. Tani kam për të përmirësuar pjesën fizike dhe të punojë më tepër me shpejtësinë time. Pika më e fortë? Pjesa e mentalitetit. Gjithmonë kam dhënë 100% në stërvitje në mënyrë që t’i jap rekomandimin vetes sime për të marrë detyra më të larta. Një ditë do të doja që të festoja debutimin tim te Hanoveri dhe të luaja këtu për një kohë shumë të gjatë”, u shpreh Cepele. /Sport Ekspres/