Lorik Cana Ambasador i Grassroots, modeli i duhur për brezat e rinj

Nga fusha e gjelbër, te projekte të lidhura ngushtë me futbollin: Lorik Cana nuk po qëndron duarkryq dhe tashmë është zyrtarizuar edhe bashkëpunimi i tij me Federatën Shqiptare të Futbollit. Ish-kapiteni kuqezi emërohet Ambasador i Grassroots-it për Shqipërinë.

Bëhet fjalë për një projekt global nga FIFA dhe UEFA, që shpërndajnë fonde për të promovuar futbollin te fëmijët, te femrat, por edhe te njerëzit me aftësi të kufizuara e më tej, deri te mosha e tretë.

Në një Shqipëri ku praktikisht për futbollin nuk është shqetësuar askush në dekadat e fundit dhe është mjaft e vështirë të gjesh ndonjë fushë për stërvitje, sfida e madhe e FSHF-së është gjetja dhe krijimi i ambienteve për të ndihmuar fëmijët të praktikojnë sportin numër 1 në Shqipëri. Duhen fusha, sa më shumë të tilla, dhe të paktën në Tiranë duket një mision i pamundur, ndërsa në qytetet e tjera duhet një bashkëpunim i fuqishëm me bashkitë dhe qeverinë. Sa do të arrihet, mbetet për t’u parë, por ndërkohë Cana ka ndërmarrë misionin që të jetë imazhi dhe ambasadori i këtij projekti, që ka nisur më herët dhe do të vazhdojë anembanë vendit.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka deklaroi: “Është prioritet absolut për FSHF-në futbolli i fëmijëve, një projekt që do të vazhdojë. Sot duhet të mendojmë për të ardhmen dhe besoj se çdo fëmijë e ka ëndërr të bëhet i suksesshëm si Lorik Cana. E shfrytëzojmë këtë shembull pozitiv. FSHF do ta mbështesë Lorikun në cdo hap që do të ndërmarrë”.

Ndërkaq, Lorik Cana për këtë pozicion të ri theksoi: “E konsideroj vetën pjesë të kësaj familjeje për të promovuar futbollin në vendin tonë. Kur kemi diskutuar për projektin e “Grassroots”, jam bindur se mund t’i shtyj njerëzit të merren me sport. Është një program që nxit dëshirën te fëmijët për të luajtur futboll, pse jo edhe të shkëlqejnë. Në vendin tonë ka shumë gjëra të mira që mund të bëhen. Si Ambasador i “Grassroots” shpresoj të ndikoj që fëmijët të rriten me frymën e sportit. Është një detyrë që kërkon projekte të mëdha, por mund të marrim rezultate shumë më të mira në të ardhmen”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *