Nga Klaudio Ndreca
Një diskutim të vjetër ka ndezur në futbollin shqiptar shitja e Lorenc Trashit në Kuvajt. Ky futbollist është vlerësuar si më i miri në Superiore, ndërsa do të grumbullohej edhe me Kombëtaren e Shqipërisë. Madje me një debutim ëndrrash pasi do të shënonte një gol të mrekullueshëm ndaj Moldavisë.
Pavarësisht të gjithë këtyre faktorëve, kartoni i Trashit nuk ka shkuar më tepër sesa 250 mijë euro. Në këto kohë të vështira të krizës dhe pandemisë nuk mund të quhen pak për arkat e Partizanit, por duke njohur vlerat e mbrojtësit, mund të vinin shumë më tepër.
Mosha 28-vjeçare është një prej penalizimeve kryesore të Trashit, që nuk mund të lëvizte në një tjetër vend të Europës duke pranuar që të shkojë në Kuvajt, atje ku në fakt rrezikon seriozisht edhe vendin në Kombëtare. Por kështu rtodhi situata dhe nuk ka pasur fundin e dëshiruar prej askujt, pasi pritej shumë më tepër.
Dëshira e madhe e Trashit ka qenë për të lëvizur në një kampionat të njohur në Europë dhe për të fituar më shumë besimin e trajnerit të Shqipërisë, ndërsa Partizani mund të përfitonte më tepër dhe të mbante një përqindje të kartonit për një shitje të dytë. Ndërkohë largimi i lojtarit më të mirë në Kuvajt dhe me një kontratë 5-vjeçare, është praktikisht një mbyllje e karrierës së tij në këtë vend.
Nga ana tjetër kemi Ernest Muçin, prodhimin e akademisë së Tiranës dhe që nuk i ka luajtur të gjitha ndeshjet në këtë kampionat. Gjithsesi ky sulmues do të shitet për një shifër më të lartë sesa 500 mijë euro në merkaton e verës dhe marrëveshja është kryer. Ende nuk dihet saktësisht nëse largimi do të vijë para ndeshjeve të Europës apo Halili do të kërkojë një tjetër rritje të çmimit për të vendosur një rekord më vete me paraqitjet që do të vijnë në “Champions League”, nëse do të fitohet titulli kampion. Një shembull i tillë me 19-vjeçarin e talentuar tregon se në diskutimin e shumëpërfolur nuk është problemi i etiketimit të prodhimit “Made in Albania”, por me mënyrën sesi paketohet produkti dhe kohën kur del në treg për t’u shitur. /Sport Ekspres/