Lojtari serb që u ftua nga Kosova flet për herë të parë: Keqardhje që refuzova ftesën

Lojtarët serb që aktivizohen si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë janë të rrallë, prandaj edhe emri i Ilija Iviç përbën një rast të veçantë. Ky i fundit është rritur në Graçanicë, ndërsa që në moshë të vogël ka luajtur futboll. Aktualisht është pjesë e Flamurtarit të Prishtinës, ku ka luajtur me të gjitha grupmoshat.

Në një rrëfim për “Telegrafin”, Iviç zbulon në gjuhën serbe më tepër për veten e tij, duke nisur që nga hapat e parë në futboll e te ftesa për të veshur fanellën e përfaqësueses së Kosovës. Megjithëse të shohësh një futbollist serb të mbrojë ngjyrat e përfaqësueses së dardanëve mund të tingëllojë e çuditshme për shqiptarët, vetë Iviç nuk e mohon një mundësi të tillë. Madje ishte faza përgatitore me ekipin e parë në Turqi ajo që e mohoi debutimin e tij me 19-vjeçarët e Kosovës dhe për këtë duket se futbollisti ndjen keqardhje.

“Kam filluar të luaj kur isha fëmijë në moshën 7 vjeçare, sikur fëmijët e tjerë, pra në Graçanicë, ku hapat e parë i mora aty. Jam pjesë e Flamurtarit prej tri vitesh dhe ndihem si në shtëpinë time, më kanë pranuar të gjithë dhe gjithçka është mirë. Normalisht që pres të inkuadrohem në ekipin e parë të Flamurtarit.

Ftesa nga Kosova U-19? Për mua është një ndjenjë e mirë, sepse më është vlerësuar puna dhe kualiteti im. Kjo më jep një shtytje akoma më të madhe për të vazhduar tutje. Ekziston një dozë keqardhje (për faktin se nuk mund të bashkohej me Kosovën U-19), por për momentin rëndësi ka ekipi i parë se përfaqësuesja”, ka përmbyllur rrëfimin e tij Ilija Iviç./Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *