Bartosh Salamon ishte një nga lojtarët që shkëlqeu në përballjen kundër Shqipërisë më 27 mars në Varshavë. Mbrojtësi 31-vjeçar kreu me sukses detyrat e tij në prapavijë, duke qenë një pengesë e madhe për sulmuesit kuqezi. Por përgjigjet e rezultateve të testit të antidopingut kanë shkaktuar diskutime të mëdha në Poloni.
Leç Poznani ka njoftuar se Salomoni ka rezultuar përdorues i dopingut në testin e zhvilluar pas ndeshjes kundër Djurgardenit në Ligën e Konferencës. Në Poloni nisën të shqetësoheshin për pasoja për klubin polak dhe për Kombëtaren e tyre, pasi një javë pas kryerjes së testit antidoping, 31-vjeçari u përball me Shqipërinë.
Por zëdhënësi i Federatës Polake të Futbollit, Jakub Kviatkovski ka shpjeguar për “WP Sportowe Fakty“-n se: “Si çdo kush tjetër, jemi shumë të befasuar nga çështja e Bartosh Salamonit. Shpresojmë se kjo do të qartësohet së shpejti. Kjo çështje nuk do të ketë asnjë ndikim në ndeshjet e fundit të të ekipit kombëtar, sepse kontrolli anti-doping u bë pas ndeshjes së klubit“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/