Mjafton vetëm një moment për të vendosur fatin e karrierës. Në ndeshjen miqësore të Bajern Munich kundër Ajax, gjermanët kishin vendosur që t’i jepnin më shumë hapësira lojtarëve të rinj pasi nuk ishte kthyer ende grupi i plotë. Por Joshua Zirkzee vendosi që të “tallej” me të dhe nuk e shfrytëzoi në maksimum. Lojtari 20-vjeçar kërkoi që të hynte në portën e Ajax me topin në zotërim, por dështoi pas ndërhyrjes së bërë nga kundërshtari. Tifozët e sulmuan menjëherë duke kërkuar largimin, ndërsa vetë lojtari do të mbyllte rrjetet sociale nga mesazhet e shumta.
Tashmë është marrë vendimi i ri për karrierën e Zirkzee. Futbollisti do të dërgohet në huazim te Anderlehti në Belgjikë, pa të drejtë blerje. Sipas mediave belge zyrtarizimi pritet që të vijë në ditën e nesërme, ndërsa është arritur marrëveshja mes palëve. Kompany e kërkonte si përforcim sa më parë për t’i dhënë disa minuta në ndeshjen me Laçin, por e sigurt është se prodhimi i akademisë së Bayern do të jetë në ndeshjen e kthimit ndaj ekipit shqiptar. Ndërkohë te kurbinasit duhet të shpresojnë se mendjemadhësia e Zikrzee do të vazhdojë edhe ndaj tyre, me të njëjtat gabime para portës. /Sport Ekspres/