Redi Jupi ishte i ftuari i radhës në “Soccer Talk Podcast”. Ish-futbollisti i Dinamos ka rrëfyer në një bashkëbisedim me Skënder Gegën pengun e karrierës së tij. Jupi është penduar që nuk arriti të shfrytëzonte në mënyrën më të mirë të mundshme kalimin e tij te Rijeka. Ai kujton se klubi kroat ishte në një nivel mjaft të lartë në atë periudhë, teksa lojtarë me një nivel të paktën mesatar arrinin të siguronin kontrata në Serinë A.
“Një nga pengjet e karrirës sime ishte ajo e Kroacisë. Shkova në një moment që Kroacia kishte një ligë shumë të ofrtë. Atëherë Dinamo e Zagrebit, Hajduku i Splitit, kishin lojtarë që të gjithë firmosin me Interin, Milanin Juventusin. Ishin lojtarë të nivelit shumë të lartë. Shkova me Istrën, me ekipin e parë. Ato 3-4 muajt e parë luajta shumë mirë. Bëra kontratë me Rijekën. Rijeka ishte në një nivel me Dinamon e Zagrebit, Hajdukun e Splitit. Ishte klubi i madh. Madje bënë një pagesë shumë të madhe për klubin këtu, kisha një rrogë shumë të mirë.
Më tha menaxheri që kisha: ‘Hapi i radhës këtu është Italia’. Ata lojtarët mesatarë që kishin i çonin te Udineze, ose Verona. Merre me mend çfarë klubi ishte. Aty nuk e shfrytëzova mirë momentin. Rijeka ishte një qytet shumë i mirë. Qytet bregdetar, por edhe nga mosha ime… nuk iu përkushtova sa duhet atij momenti. Po të kisha bërë një moment të mirë atje, s’do kisha ardhur më këtu. Do të ishte gjë tjetër. Te Rijeka, lojtarë shumë normal, shumë më poshtë nivelit tim firmosën në Itali e në Gjermani, sepse ishte shumë e fortë”, ka rrëfyer Redi Jupi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/