Trajneri Ilir Daja dhe të tijtë duhet të fitojnë 8 ndeshje për të siguruar matematikisht trofeun. Presidenti Takaj e do sa më shpejt
Leonard Trebicka
Kur duhen edhe 12 javë deri në fund të kampionatit, korçarët kanë marrë lapsin dhe janë duke bërë llogaritë e titullit kampion. Me 36 pikë në lojë, Skënderbeut i mjaftojnë edhe 22 pikë për të siguruar matematikisht trofeun. Sigurisht që titulli kampion mund të vijë në Korçë edhe më shpejt. Llogaritë bëhet me vendin e dytë, që aktualisht mbahet nga Kukësi, skuadër që ka 14 pikë diferencë me Skënderbeun. Me ekipet e tjera, Laçin dhe Flamurtarin, diferenca është plot 20 pikë dhe me to llogaritë dalin që trofeu të vijë shumë më shpejt në Korçë. Sigurisht, nëse gabon Kukësi, te Skënderbeu mendojnë se trofeu do të vijë më shpejt se herët e tjera. Trajneri Ilir Daja dhe stafi i tij besojnë se diku në mes të muajit prill gjithçka do të jetë mbyllur dhe Skënderbeu do të jetë kampion. 22 pikë të tjera do të thotë 7 fitore dhe 1 barazim, por duhet parë edhe ecuria e Kukësit në këto javë. Skënderbeu deri tani nuk ka falur asnjë ekip dhe me këtë ritëm, 6 javë përpara fundit të kampionatit i bie që titulli të jetë siguruar. Trajneri Daja po mundohet ti mbajë sa më të karikuar të tijtë dhe jo më kot ka thënë shpesh se titulli duhet siguruar matematikisht.
SHKËPUTJA E PAZAKONTË – Ky sezon është për tu shënuar në histori për skuadrën juglindore. Korçarët në dekadën e fundit e kanë fituar shumë herë titullin kampion, por me ritmin e këtij sezoni jo. Me këto rezultate nuk ka ndodhur më parë. Skënderbeu po bën ligjin në futbollin shqiptar, duke krijuar një shkëputje të pazakontë me herët e tjera. Në Korçë janë optimistë dhe shprehen se titulli është 100% i Skënderbeut, nuk ka dyshim. Këto deklarata forcohen javë pas jave me rezultatet që Skënderbeu arrin ndaj çdo kundërshtari. Skuadrat e tjera po luftojnë për vendin e dytë, sepse kreu qysh javën e parë ka vetëm një pronar, ekipin e Dajës. Muaji prill pritet të vendosë përfundimisht titullin. Me Kukësin e vendit të dytë Skënderbeu ka për të luajtur edhe një ndeshje në Korçë, në fazën e katërt, dhe ndoshta atëherë do të thuhet edhe fjala e fundit. Bardhekuqtë i kanë mundur pa problem të gjithë kundërshtarët dhe ky titull është plotësisht i merituar.
TAKAJ Gëzimi i këtij trofeu po afron dhe presidenti Ardjan Takaj është ai që mezi po e pret. UEFA, me atë deklaratë të pak javëve më parë për një dënim të mundshëm të Skënderbeut, ia ka prishur humorin bosit të korçarëve. Në Korçë besojnë se Skënderbeu do të dalë pa lagur për atë që kjo skuadër ka arritur me djersë. Gjithsesi, frika ekziston dhe deri në momentin e vendimit të gjithë do ta kenë gjumin “e trazuar. Ditët e fundit presidenti Takaj u ka thënë të tijve se dëshiron që titulli të vijë sa më parë të jetë e mundur, madje ky është një urdhër”. Përveç titullit, presidenca korçare është duke punuar fort të mbyllë së më parë çështjen e UEFA-s. Nëse kjo ndodh, presidenti Takaj garanton se në verë do të shikojmë një Skënderbe më të madh, jo në Europa League, por në Champions League.