Dy humbje në tre ndeshje të luajtura në Ligën e Kombeve. Rezultate larg atyre të një skuadre, që pretendonte të fitonte grupin. Dy disfata radhazi në trasfertë, me Shqipërinë që tregoi se vuan për të marrë rezultat edhe në rastet kur luan mirë, ashtu si ndodhi në Ber Sheva ndaj Izraelit. Pas kësaj ecurie, tashmë është koha të bëjmë llogaritë, se për çfarë luan Kombëtarja dhe çfarë duhet të bëjë. Me laps dhe me letër!
KREU – Duket një mision tejet, por tejet i vështirë. Megjithatë nuk mund të thuhet i pamundur, për sa kohë matematika ia lejon. Kombëtarja duhet të fitojë me goleadë në ndeshjen e radhës ndaj Skocisë. Ndoshta edhe rezultati 3-0 mund të mos mjaftojë. Duke qenë se kemi humbur 2-0 ndeshjet direkte, në këtë rast mund të kalonim Skocinë, që nga ana e saj duhet të fitojë me Izraelin. Por, edhe në këtë rast, golavarazhi me 4 gola të shënuar dhe 4 të pësuar i kuqezinjve, mund të mos mjaftojë në llogaritë përballë Izraelit. Skenari ideal do të ishte fitore 4-0 ose më e thellë e Shqipërisë ndaj Skocisë në “Loro Boriçi” dhe më pas fitore 2-0 e skocezëve ndaj Izraelit. Në këtë rast hipotetik, të gjitha skuadrat do të kishin 6 pikë dhe duke qenë se të gjitha do të regjistronin fitore dhe humbje me secilën, renditja do të përcaktohej nga golat e shënuar. Në këtë rast, Shqipëria do të kishte golavarazh të përgjithshëm +1, ndërsa dy rivalët 0. Shanset që kjo të ndodhë, janë një në 1 milion.
LIGA C – Por, një tjetër prioritet i Shqipërisë është qëndrimi në Ligën C dhe të evitojë rënien në Ligën D, e cila përbën nivelin më të ulët në formatin e Ligës së Kombeve. Për momentin Shqipëria është mjaft e rrezikuar, por ka një avantazh: Përveç tre skuadrave të vendeve të fundit në Grupet 2, 3 dhe 4, ekipi tjetër që zbret nga liga, do të vendoset mes më të dobta të pozicionuara në vendin e tretë. Në këtë renditje, Shqipëria është me pikë të barabarta me Rumaninë dhe Hungarinë, por me golavarazh më të dobët, ndërsa lë pas vetes Qipron. Te ishullorët nuk llogaritet fitorja me Slloveninë e vendit të fundit në grup, por duelet me rivalët e tjerë, në këtë rast Bullgarinë dhe Norvegjinë. Deri më tani dy humbje të pësuara dhe Shqipëria do të bëjë tifo, që Qipro të humbasë edhe ndeshjet e tjera, të cilat do ti luajë në muajin nëntor.