Janë mbyllur dy takimet e sotme të orës 18:55, të vlefshme për fazën e grupeve të UEFA Champions League. Ndeshjet e luajtura në Beograd dhe Monte Karlo, kanë dhuruar surpriza të mëdha. Liverpuli i Jurgen Klop është tronditur në Serbi, pas humbjes 2-0 dhe tashmë pozitat e tyre në grup vihen në pikëpyetje. Ndërkohë, Monako nga ana tjetër u “shkërmoq” nga Klub Bryzh 0-4 në shtëpi.
Sfida në Beograd, nisi me mjaft intensitet nga ana e vendasve, të cilët duket se e zunë në befasi Liverpulin e Jurgen Klop. Përpjekjet e Cervenës u shpërblyen në minutën e 22-të, ku pas një goditje nga këndi ishte sulmuesi. Milan Pavkov, i cili dërgoi në avantazh vendasit me një goditje me kokë.
Pas shtatë minutash ishte përsëri i njëjti njeri, por këtë herë shënoi një supergol, ndoshta që mund të ishte evituar nga Alison, por duartrokitjet janë të gjitha për 24-vjeçarin Pavkov, i cili pasi shmangu Vinajldum lëshoi një predhë në drejtim të portës dhe dyfishoi shifrat.
Jurgen Klop nuk i beson syve, por performanca e “The Reds”, për momentin lë shumë për të dëshiruar. Anglezët u përpoqën deri në fund të pjesës së parë për të ndryshuar diçka, por rastet e tyre nuk u konkretizuan. Pjesa e dytë, ishte një fotokopje e fundit të së parës, me Liverpulin që shtoi presionin, por pa mundur të konkretizojë rastet para portës. Tani anglezët rrezikojnë pozitat e tyre në grup, pasi sfidat e ardhshme janë ndaj PSG-së dhe Napolit.
Nga ana tjetër, në principatë ndeshja nisi në tatëpjetë për ekipin e Henris, ku brenda 12 minutave pësuan plot 3 gola, ku shënoi dy herë Vanaken dhe një herë Uesli. Festivali i golave të Klub Bryzh nisi në minutën e 12-të, ku Vanaken përfitoi nga një paqartësi e mbrojtjes së francezëve. Pesë minuta më vonë, belgët patën mundësi nga pika e bardhë, që ishte mjaft e dyshimtë.
Vanaken u tregua i saktë dhe shënoi golin e tij të dytë personal. Më pas, ishte radha e Ueslit, i cili në minutën e 24-t trefishoi shifrat dhe i dha një goditje akoma më të rëndë ekipit francez. Monako u përpoq të futej në lojë, por duket se gjendja psikologjike e ekipit është e shkatërruar plotësisht dhe fraksioni i parë u mbyll me shifrat 0-3.
Në pjesën e dytë, Monako u përpoq të futej në lojë, por mori dhe një tjetër goditje të rëndë, teksa Vormer shënoi golin e katërt në minutën e 85-të. Tashmë belgët ngjiten në vendin e tretë në kuotën e katër pikëve, ndërsa Monako mbetet me vetëm një pikë e fundit.