Vetëm para pak minutash ka nisur edhe Asambleja e FSHF për të zhvilluar punimet e saj. Sot duhej që të prodhohej presidenti i ri i FSHF, megjithatë nisur nga beteja ligjore me Gjykatën është thënë më herët se do të kemi një datë të re për zgjedhjet.
Ndërkohë punimet për Asamblenë janë duke vazhduar normalisht. Sport Ekspres siguron fotografinë nga kjo Asamble, teksa në këtë mbledhje gjendet edhe presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gravina, për të monitoruar më nga afër gjithçka.
11:10, mbyllet fjalimi i Armand Dukës: “Është kënaqësi sot që Asamblenë e nderojnë shumë të ftuar. Është delegacioni i UEFA-s, presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gravina. Kemi delegacionin e FIFA-s, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Ademi, presidenti i Federatës Maqedonase të Futbollit, Sejdini, De Biazi dhe Reja. Shumë projekte kanë marrë udhë dhe të tjerë do të fillojnë më shpejt. Kjo është një vlerë e familjes tonë të mëdha që ka ditur të mund vështirësitë.
Të lëmë mënjanë mllëfin dhe inatin, ne duhet të shohim para dhe pa u ndikuar nga tensionet. Duhet të mbyllet e shkuara dhe të fillojë e ardhmja. Në shtëpinë tonë gjithçka zgjidhet me mirëkuptim dhe dashuri dhe jo me gjyqe, të një bote të harruar prej kohësh. Nuk do rreshtim së bashkëpunuari me shtetin për ta bindur se investimi në futboll nuk është dëshirë, por detyrë për të ardhmen”.